Koronavirusi në Greqi/ Policia, thirrje për qytetarët dhe emigrantët që të qëndrojnë në shtëpi

20/03/2020 11:46

Drejtoria e policisë së Atikës në Greqi ka shtuar patrullimet për të parandaluar rastet e grabitjeve të dyqaneve, të cilat tashmë janë të mbyllura pas urdhurit të qeverisë.

Makina të policisë patrullojnë në të gjithë vendin 24 orë ne 24. Po ashtu janë transferuar nga zyrat drejt drejtorive operative rreth 1500 policë, si dhe pritet që të tjerë ti shtohen drejtorisë së ndërhyrjes së shpejtë dhe asaj të anti-krimit.

Është bërë kujdes edhe përsa i përket informimit të qytetarëve, të cilët ftohen të rrinë në shtëpitë e tyre deri në përmirësimin e situatës.

Nëpërmjet megafonëve dhe mesazhe në gjuhë të huaja, si anglisht dhe arabisht, autoritetet i bëjnë thirrje emigrantëve të zbatojnë rregullat dhe të shmangin grumbullimet me mbi 10 veta, si dhe të qëndrojnë në shtëpi ose kampe, si masë parandaluese për të shmangur përhapjen e Covid-19.

Më herët, Ministria e Marinës Detare, ka njoftuar se do të transferojë në kampe, në Greqinë kontinentale një numër të madh emigrantësh, për të ulur përqendrimet e tyre në ishujt e egjeut lindor.

Top Channel