Vijojnë shtyrjet e evenimenteve sportive për shkak të coronavirusit. Këtë radhë është futbolli amerikanolatin që ndërmerr masa të tilla drastike.

Konfederata e Futbollit në Amerikën e Jugut, CONMEBOL vendosi të shtyjë dy kompeticionet më të rëndësishme të këtij kontinenti, Copa Libertadores dhe Copa Sudamericana deri në datën 5 maj.

CONMEBOL e mori këtë vendim për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19 në Amerikën e Jugut ku janë shënuar mbi 1000 të prekur. Javën e kaluar cONMEBOL vendosi të anulojë ndeshjet e javës së tretë të Copa Libertadores që ishin parashikuar për t’u luajtur këtë javë, por duke parë shpejtësinë me të cilën po përhapet coronavirusi në fund vendosi të ashpërsojë masat e saj.

Data 5 maj pritet të jetë ajo e rifillimit të Copa America, por kjo vetëm nëse situata do të jetë përmirësuar. E njëjta histori edhe për Copa Sudamericana që për më tepër në 13 maj do të hedhë edhe shortin e fazës së dytë, fazë kjo që do të nisë javën pasardhëse.

Top Channel