Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 9,400 njerëz kanë testuar pozitivë për koronavirusin nga mëse 7,000 një ditë më parë. Të paktën 150 kanë vdekur, një rritje prej rreth 40 për qind nga shifrat e publikuara të mërkurën.
Disa ekspertë thonë se shifra e të infektuarve mund të jetë shumë më e lartë, pasi testimet që bëhen janë shumë pak.
Qeveria federale po përgatitet për një pandemi që mund të zgjasë deri në 18 muaj ose më gjatë dhe “të përfshijë disa valë përhapjeje”, tha rrjeti CNN, i cili citonte një raport të ri.
Presidenti Donald Trump tha se situata është e vështirë. “Unë e shoh veten si një president në kohë lufte,” tha ai në një konferencë shtypi të mërkurën.
Në shumë shtete dhe qytete zyrtarët po marrin masa për frenuar përhapjen e virusit. Të tilla janë mbyllja e shkollave, restorantet ofrojnë vetëm ushqime që mund të merren me vete dhe grumbullimet masive janë ndaluar.
Në Kaliforni, rreth 10 milion banorë janë nën urdhrat për të mos dalë nga shtëpia deri më 7 prill, por afati mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve.
Synimi është që kriza të mos përplaset përnjëherësh mbi spitalet, të cilat kanë mungesa të ndjeshme pajisjesh, si respiratorë, për të përballuar koronavirusin. Disa spitale thonë se pajisjet u mjaftojnë vetëm për disa ditë në rast të një mbingarkese.
Dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, Mario Diaz-Balart nga Florida dhe Ben McAdams i shtetit Utah janë ligjvënësit e parë që testojnë pozitivisht për koronavirusin.
Mjekët janë në kontakt me ligjvënësit për të gjetur se me cilët njerëz të tjerë brenda selisë së Kongresit kanë kontaktuar ata dhe që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.
Top Channel