Plani i qeverisë për COVID-19, reagon Meta: Mbështes qeverinë, rroga e Presidentit do të përgjysmohet

19/03/2020 20:48

Kryeministri Edi Rama ka parashtruar ditën e sotme planin me shtatë pika për të menaxhuar situatën që ka shkaktuar Koronavirusi.

Rama gjithashtu njoftoi që do të përgjysmonte pagat e deputetëve, por nuk kishte marrë asnjë vendim për atë të presidentit pasi i takonte këtij të fundit që të vendoste.

Meta ka reaguar duke përshëndetur masat dhe ka shkruar se edhe ai do të ketë përgjysmim page.

Sa u përket masat Meta tha se pret që detajet e planit të bëhen transparente sa më parë.

Statusi:

Përshëndes mbështetjen financiare të bërë publike nga Kryeministri.

Ftoj Qeverinë të përcaktojë sa më parë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë.

Inkurajoj gjithashtu konsultimin me grupet e interesit për të bërë transparente detajimin e fondeve, për t’u dhënë përgjigje të menjëhershme nevojave emergjente të qytetarëve.

Sa i përket trajtimit financiar të Presidentit të Republikës, ai do të shkurtohet në të njëjtën mënyrë, si dhe për zyrtarët e lartë të shtetit, të parashikuar në planin e bërë publik.

Po kështu Institucioni i Presidentit të Republikës është solidarizuar me shkurtimin e fondit të buxhetit vjetor në interes të riadresimit të tyre, në mbështetje të shëndetësisë dhe sektorëve të vijës së parë në këtë përballje me pandeminë globale të COVID 19.

Bashkëpunimi, gjithëpërfshirja, humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar do të na japë të gjithëve fuqinë e duhur pozitive për ta fituar këtë sfidë, duke mundur frikën, me besimin e palëkundur te e ardhmja dhe në Zot.

 

Top Channel