Në Korçë e Pogradec janë ndaluar dy shtetas për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në Korçë ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Agjencia” të finalizuar para 1 muaji, ndërsa në Pogradec arrestohet në flagrancë 1 shtetas tjetër i cili u kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.
Në vijim të masave për parandalimin e paligjshmërive, kapjen e personave në kërkim dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore nga strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Korçë, u bë ndalimi i shtetasit N. D., 59 vjeç, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Agjencia”, finalizuar më datë 21.02.2020, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim më shumë se 1 herë”.
Gjithashtu shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. L., 25 vjeç, banues në fshatin Borizanë, Fushë Krujë.
Arrestimi i tij u bë pasi, ky shtetas u kap në lagjen nr. 1, Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Ford Focus”, pesë shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
Top Channel