“Është absurde”/ Covid-19, debati i aktorëve Neritan Liçaj-Zamira Kita për masat e qeverisë

18/03/2020 15:06

Në studion e emisionit “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Florian Gjini dhe Erjona Rusi, u përfshinë përmes një lidhjeje live aktorët Neritan Liçaj dhe Zamira Kita.

Në studio kishte një polarizim idesh në lidhje me situatën në të cilën ndodhemi, si pasojë e koronavirusit. Liçaj e shihte si të padrejtë vendimin e dhënë nga qeveria për të ndaluar lëvizjet e këmbësorëve pas orës 18:00. Ndërsa Kita mendonte që masat janë të nevojshme për të minimizuar përhapjen e pandemisë.

“Është krijuar një kakofoni e madhe. Në Itali deklarojnë online se kur do të shkojnë me makinë dhe vetëm në momentin kur ti devijon nga intenari, të kërkohet ta ndjekësh atë. Virusi është në çdo orar të ditës. Nuk është se virusi fle gjumë deri në orën gjashtë dhe më pas del përsëri. Në Itali nuk të heq njeri makinën private. Êshtë absurde. Si të hiqet patenta sepse unë dua të dal me gruan dhe familjen time. Po unë kam dalë gjithë këto ditë pas orës 18:00 dhe mbrëmë dola dhe kishte persona të tjerë që lëviznin, normalisht të rralla”, tha Neritani.

Nga krahu tjetër Zamira, argumentoi se masat janë të nevojshme.

“Unë mendoj që vendimet e qeverisë janë të duhurat. Nëse më kërkohet të dal para orës gjashtë për të blerë ushqime, do ta bëj. Në këtë mënyrë do të mbrojmë veten familjarët dhe të tjerët. Po thuhet gjerësisht që virusi qëndron në sipërfaqe, në rroba, dysheme. Kështu që mendoj që duhet të minimizojmë sa më shumë të jetë e mundur lëvizjet”, u shpreh Zamira.

Top Channel