Në vijim të masave shtrënguese që po ndërmerren për të frenuar përhapjen e mëtejshme të Covid-19, Shqipëria do të ndalojë të gjitha fluturimet për në Britaninë e Madhe dhe anasjelltas.
Vendimi është bërë i ditur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si pjesë e masave të marra nga Qeveria Shqiptare për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
” Në kuadër të masave drastike të ndërrmarra nga Qeveria Shqiptare, për parandalimin e përhapjes së COVID- 19, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke filluar nga data 16 Mars, ora 23:59, ndalohen të gjitha fluturimet për dhe nga Britania e Madhe”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më herët, Shqipëria ka ndaluar fluturimet dhe lëvizjet e trageteve të pasagjerëve me Italinë, ndërkohë që vijon transporti i mallrave.
Në Angli, metrotë, aeroportet, dhe rrugët kryesore të qyteteve janë thuajse totalisht të zbrazura. Si rrallëherë Aeroporti ”Heathrow” i Londrës, është thuajse bosh, ndërkohë raportet e publikuara e kanë krahasuar muajin shkurt të këtij viti me të vitin që lamë pas, me 4.8% ulje të pasagjerëve.
Sakaq në Birmingham qytetarët kanë zgjedhur të vetizolohen në shtëpi, duke anuluar të gjitha aktivitetet e tyre të përditshme.
Top Channel