Kryeministri Edi Rama në një deklaratë ‘live’ në ‘Facebook’ është shprehur se kjo situatë nuk dihet sa do të zgjasë.
Ai ka folur edhe për lejimin që do u bëhet fabrikave për të punuar, por që të sigurohen më parë për shëndetin e punonjësve.
Rama:
Kjo nuk do të jetë një luftë e shkurtër dhe nuk ka asnjë lidhje me një lojë kukafshehti në rang kombëtar të cilën mund ta mbarojmë duke u mbyllur një fundjavë apo një dy javë të tëra në shtëpi. Askush nuk e di sa mund të zgjasë kjo luftë me armikun e padukshëm që siç e shihni po mbyll në shtëpi një e nga një popujt e planetit.
Duke kapur gafil fuqitë më të mëdha ekonomike dhe teknologjike të globit. Ajo që dimë dhe që të gjithë një e nga një po e pranojnë dhe po i nënshtrohen pasngujimesh të kuptueshme dhe vonesash të dëmshme, është se i vetmi ilaç për të lehtësuar plagët e mëdha dhe ulur numrin e viktimave të pashmangshme të këtij virusi të cilit nuk i është gjendur ende ilaçi është kufizimi drastik i lirisë sonë të lëvizjes dhe distancimi deri në absurd nga njëri-tjetri.
Por, nga ana tjetër sfida e tmerrshme për vendim marrësit dhe liderët e vendeve të tjerë është të shohin jo vetëm se si të mbyllin rrugët e komunikimit për vendin, komunitetet, familjet e deri brenda vetë familjeve, por të garantojnë që pas lufta të mos jetë një tatëpjetë pa rrugë dalje drejt humnerës ekonomike.
Sikur shërbimi shëndetësor ushqimet, ilaçet, dritat, uji, siguria, pensionet, rrogat e atyre që sot s’janë në punë, por në shtëpi dhe s’mund të jetojnë muajin tjetër vetëm me ajër mos vareshin nga paratë që prodhon zinxhiri ekonomik i vendit, por të vinin nga qielli, atëherë me të drejtën e zotit unë që më qëlloi të jem sot lideri juaj dhe sikur të jap çdo gjë që kam, nuk kam si ti iki kësaj përgjegjësie duhet të varesha nga këmbët madje në sheshin Skënderbej për mos mbylljen e të gjitha veprimtarive prodhuese.
Por ju lutem të gjithëve ta kuptoni se të mbyllësh aktivitetin prodhues sot është njësoj si ti heqësh të gjithë Shqipërisë, pas dy apo tre muajsh aparaturën e frymëmarrjes që mban në jetë një organizëm në gjendje të rëndë pas infektimit nga ky virus i cili po sprovon jo vetëm trupin dhe trurin tonë, por po sprovon Shqipërinë.
Kjo do të ishte vetëvrasje.
Top Channel