E marta do të jetë dita e të vërtetës në mbledhjen e UEFA-s që do të mbahet në Nyon të Zvicrës. Të gjitha rrugët të çojnë drejt shtyrjes së Euro 2020 për t’u dhënë përparësi kampionateve kombëtare dhe Kupave të Europës në nivel klubesh në mënyrë që të gjenden datat e lira për përfundimin e tyre.
Në Itali po mendojnë për një kampionat intensiv nga data 2 maj deri më 28 qershor pa asnjë pushim për të luajtur 12 javët e mbetura. Serie A është edhe kampionati më i prekur nga koronavirusi dhe gjasat janë që të rifillojë më vonë se ligat e tjera pavarësisht se ndërprerja fillestare është bërë deri në datën 3 prill.
Opsioni nga 2 maji deri në 28 qershor është më i miri sipas mediave italiane pasi 9 raunde do të luheshin në fundjavë dhe 3 të tjerë në mesjavë ndërkohë që do të kishte dhe 5 mesjava të lira për Kupat e Europës.
Ky është opsioni që propozojnë të gjitha klubet por që duhet të marrë dritën jeshile nga UEFA që të martën e 17 marsit do të marrë një vendim përfundimtar për Euro 2020.Nëse nuk arrihet në një marrëveshje me UEFA-n, atëherë ekziston edhe mundësia që fituesi i Serie A të zgjidhet me play-off si dhe të zhvillohen sfida play-out për rënien nga kategoria.
Top Channel