Sot në rubrikën “Këndi i së vërtetës” në “E Diell” ishte e ftuar aktorja e humorit Rudina Dembacaj. Ajo iu përgjigj një serie pyetjesh duke filluar që nga fëmijëria e saj, marrëdhënien me prindërit, bullizmin, raportin mes programeve të humorit dhe skenës së teatrit, e deri tek qasja e saj me politikën.
“Jam me fat për nënën që kam, është treguar goxha autoritare me mua, por unë do jem pak më e butë ndërsa babai është idhulli im. S`kam bërë asgjë pa mbështetjen e tij” ka treguar e emocionuar aktorja.
Dikur në adoleshencën e saj, Rudina ka pasur një betejë të madhe ndaj mbipeshës, të cilën ajo e ka fituar dhe sot është më në formë se kurrë.
“Asokohe nuk e kam vuajtur fare bullizmin dhe pse isha shumë e shëndoshë” ka treguar më sportivitet ajo.
Sa i takon krahasimit programeve të humorit apo skenës së teatrit, ajo ka bërë një paralelizim mes një fast-food-i dhe restorantit të saj ku sigurisht ajo zgjedh këtë të fundit.
Suksesin e komedisë brilante “Boeing-Boeing” 40 % ajo ia atribuon regjisorit Kiço Londo, ndërsa 60% e ndan mes vetes dhe 5 kolegëve të saj, secili nga 10 %.
E ka menduar ndonjëherë Dembacaj përfshirjen në politikë duke qenë se partneri i saj Mark Frroku, dikur ka qene pjesë e saj?
“Unë kam shumë dëshirë që ne të jemi një vend demokratik, një vend me zhvillim ekonomik më të madh, por nuk e shoh ende veten në politikë pavarësisht se më është propozuar 2-3 herë për t`u bërë deputete” ka përmbyllur rrëfimin e saj në “Këndin e së vërtetës” Rudina Dembacaj.
Top Channel