Qeveria ka miratuar sot një akt normativ, i cili ka për objekt përcaktimin e masave të veçanta gjatë gjithë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Në një nga masat e këtij akti normativ parashikohen dhe sanksione të forta për televizionet.

Sipas kësaj mase në rast shkeljeje televizionet jo vetëm që mund të marrin një gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë , por detyron edhe faktin që shumica e programeve mund të rrezikojë edhe bllokimin e transmetimit.

Citimi i masës në fjalë: “Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se dy persona në të njëjtën studio televizive dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent”.

Tashmë kjo masë ka kaluar, por vlen të theksohet se minimalisht para miratimit të saj do duhej të kishte një konsultim apo dakordësi me mediat, pasi në këtë kohë atyre u bie pesha e detyrës më të vështirë, dhe nuk mund të jenë ato më të ndëshkuarat në këtë mes.

Shtojmë këtu faktin se është e tepërt që kjo normë të përcaktojë edhe numrin se sa veta mund të qëndrojnë në një ambient në një kohë që media ka për qëllim informimin në kohë reale dhe të saktë të situatës.

Që të jemi sa më të qartë, kjo masë nuk është e vlefshme për të gjithë, pasi ka shumë biznese që nuk janë të dënuar nga kjo masë, të cilëve nuk u është bërë një përcaktim i numrit të personave që mund të qëndrojnë në ambiente të caktuara.

Le të themi se ky përcaktim është bërë në vendin e gabuar, pasi mediat gëzojnë hapësira të mëdha, ndryshe nga shumë biznese të tjera, rreziku te të cilat është më i madh, siç mund të përmendim këtu marketet, supermarketet, farmacitë, ushqimoret, studio ligjore, etj etj.

Këto të fundit në këto kohë duke parë dyndjet që ka nga qytetarët, janë ndoshta rreziku i vërtetë…

Top Channel