Vijon monitorimi i rrugëve urbane dhe interurbane, për zbatimin e urdhrit për ndalimin e qarkullimit të automjeteve.

Shkon në 745 numri i drejtuesve të automjeteve, të ndëshkuar me masë administrative.

Vihen në pranga 5 drejtues mjetesh, në Tiranë, Lushnjë, Fier, Vlorë e Elbasan, të cilët në kundërshtim me urdhrin dhe në gjendje të dehur qarkullonin në rrugë, si dhe një drejtues mjeti në Shkodër për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësit të rendit publik.

Gjithashtu, procedohen edhe tre drejtues mjetesh në Shkodër, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Shërbimet e Policisë vijojnë pa ndërprerë monitorimin e rrugëve urbane e interurbane, për zbatimin e masave shtesë, për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në këtë kuadër, prej orës 06:00 të datës 13.03.2020, deri në orën 06.00 të datës 14.03.2020, janë ndëshkuar me masë administrative sipas parashikimeve të nenit 7, paragrafi 12 i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar), 745 drejtues mjetesh, të cilët nuk kanë respektuar urdhrin e dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Shkodër.

93 drejtues mjetesh u shoqëruan në ambientet e Komisariateve të DVP-ve, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për masën administrative, për thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe këtyre drejtueseve iu bllokuan edhe automjetet.

Ndërkohë, në Tiranë nga Specialistët e Policise Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.M., 32 vjeç, pasi në rrugën ” E Kavajës”u kap duke drejtuar automjetin tip “Opel” në kundershtim me Telegramin Nr.2013 date 12.03.2020 si dhe ne gjendje të dehur në masën 1.11 mg/l.

Në Vlorë, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin M. Rr., 31 vjeç, pasi u kap në aksin rrugor “Osman Haxhiu”, Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “Fiat Punto”, në gjendje të dehur.

Në Fier, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin E. H., 31 vjeç, pasi në vendin e quajtur “Vija e ngjalës”, ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Në Lushnjë, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin L. V., 41 vjeç, pasi në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë, është kapur duke drejtuar automjetin tip “Opel” në gjendje të dehur.

Ndërsa në Elbasan, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 53 vjeç, , pasi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin tip “Fiat Punto”, në gjendje të dehur, në masën 0.68 mg/l.

Po në vijim të monitorimeve dhe kontrolleve, në Shkodër, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Gj. D., 45 vjeç, , pasi në aksin rrugor Zogu i Parë-Sheshi Parrucë, Shkodër, u kap duke drejtuar mjetin tip Benz, në kundërshtim me urdhrin, si dhe ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë për masën administrative.

Gjithashtu, po gjatë monitorimit, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë tre shtetas të tjerë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë̈ së rendit publik”.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë kufizimin e lëvizjes me mjete, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi në të kundërt do përballen me sanksione të përshkallëzuara ligjore sipas normave te përcaktuara ne Kodin Rrugor Shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA