Sulmet ajrore të SHBA-së që lanë të vrarë disa anëtarë të një grupi militantësh pro-iranian në Irak, kanë rritur tensionet në rajon. Autoritetet e Irakut e denoncuan sulmin si një shkelje të sovranitetit të vendit. Teherani paralajmëroi presidentin amerikan, Donald Trump kundër ndërmarrjes së “veprimeve të rrezikshme”.
Ushtria amerikane tha se “sulmet precize” po kryhen kundër depove të armëve të militantëve shiitë Kataib Hezbollah, në gjithë Irakun. Ushtria tha se sulmet janë “mbrojtëse, proporcionale dhe përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërcënimit që paraqesin grupet e milicive shiite, të mbështetura nga Irani”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mike Esper, ka fajësuar një milici shiite, të mbështetur nga Irani, për sulmin kundër bazës ushtarake Camp Taji, më 11 mars.
Në reagimet që pasuan, presidenti irakian, Barham Salih, dënoi sulmin e SHBA-së, duke paralajmëruar se vendi mund të rrëshqasë në “kaos” dhe të bëhet një “shtet i dështuar”. Ministria e Jashtme e Irakut tha se do të thërrasë në bisedë ambasadorët amerikanë dhe britanikë në Bagdad. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Abbas, Musavi tha në një deklaratë tha se presidenti Trump duhet “të rishqyrtojë praninë dhe sjelljen e trupave të tij në zonë” në vend që të bëjë “veprime të rrezikshme dhe akuza të pabaza”.
Shtetet e Bashkuara i kanë akuzuar milicitë e mbështetura nga Irani për 13 sulme të ngjashme në bazat e forcave të huaja në Irak, përgjatë vitit të kaluar. Vrasja e një civili amerikan në një incident të tillë në muajin dhjetor ka shkaktuar valë të dhunës dhe ka bërë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të urdhërojë vrasjen e gjeneralit të lartë iranian, Qasem Soleimani./REL
Top Channel