Vetëm brenda një muaji, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare kanë marrë kredi në vlerë prej rreth 100 milionë euro nga bankat komerciale, derisa kanë depozituar para në vlerë prej mbi 50 milionë euro.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahemti, thotë për Radion Evropa e Lirë se vlera totale e kredive të dhëna nga bankat komerciale deri në fund të muajit janar 2020, ishte 3 miliardë euro.

“Vetëm në muajin janar janë dhënë 92.6 milionë euro kredi të reja. Vlera e depozitave për periudhën arrin vlerën në 3.9 miliardë euro, ku vetëm në muajin janar vlera e depozituar ishte 50.2 milionë euro. Norma mesatare e interesit në kredi të reja e aplikuar në muajin janar 2020 ishte 6.5 për qind, kurse ajo në depozita ishte 1.65 për qind”, thotë Ahmeti.

Mesatarja e normave të interesit në kredi, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, është rreth 6.4 për qind, e cila ndër vite thuhet të ketë pasur rënie të konsiderueshme pasi që në të kaluarën ishte edhe më e lartë.

Por, me gjithë uljen e kësaj norme, sipas bizneseve, ajo vazhdon të jetë e lartë dhe pengesë për punën afariste.

Qasja në financa e bizneseve, nga përfaqësues të afaristëve në Kosovë, po konsiderohet të jetë e vështirësuar për shkak të normave të larta të interesit në 10 bankat komerciale të cilat operojnë në Kosovë. Si pasojë e normave të larta që zbatohen për marrjen e kredive, bizneset nuk arrijnë të zhvillohen, thonë ekspertë të fushës së ekonomisë.

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneseve në Kosovë po iu pamundësohet funksionimi dhe rritja e veprimtarisë për shkak të kushteve të pafavorshme për qasjen në kredi.

Sipas tij, bankat komerciale janë të vetmet në të cilët drejtohen afaristët për të marrë kredi për të zhvilluar biznesin apo për të nisur një biznes të ri, por që kushtet janë të pafavorshme.

“Normat e interesit në Kosovë vazhdojnë të jenë më të lartat në rajon edhe pse kreditë e këqija në Kosovë janë më të ulëta në rajon. Kjo është një anomali sepse normat e larta arsyetohen me borxhet e këqija, e Kosova e ka nivelin e ulët të këtyre kredive”, thotë Krasniqi.

Normat e larta të interesit rrezikojnë investimet përmes kredive
Sektori financiar dhe bankar në Kosovë, vlerësohet jo vetëm më fitimprurësi, por edhe sektori me performancën më të qëndrueshme në Kosovë.

Ky sektor, karakterizohet me një prezencë të madhe të kapitalit të huaj, ku 87 për qind e aseteve totale menaxhohen nga bankat e huaja, kështu që kapitali i huaj dominon në 8 prej 10 bankave që operojnë aktualisht në Kosovë.

Mejdi Bektashi, ekspert i çështjeve financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë se norma e interesit në kredi mbi 6 për qind është e lartë, përderisa norma në depozita është shumë e ulët.

“Sipas raporteve të Bankës Qendrore norma mesatare e interesit është mbi 6 për qind që në krahasim me 5 vjetët e fundit ka një ulje drastike tani është një shifrore, por në krahasim me normat e interesit në rajon apo në shtete e Bashkimit Evropian kjo norma është mjaft e lartë dhe normë e interesit për depozita thuajse janë ulur në më pak se 1 për qind”, thotë Bektashi.

Normat e larta të interesit, shton Bektashi, pengojnë zhvillimin e bizneseve dhe vështirësojnë klimën e biznesit për shumë ndërmarrje që kanë kredi në bankat komerciale.

Për të shënuar rënie kjo norma e lartë e interesit, thotë profesor Bektashi, duhet të ketë një konkurrencë më të madhe të bankave komerciale që funksionojnë në Kosovë.

“Në këtë rast BQK nuk mund të marrë vendim administrativ për t’i detyruar bankat për një normë më të ulët të interesit, por mënyra më e mirë është e hyrja e bankave të reja në Kosovë dhe rritja e konkurrencës në mes bankave ekzistuese”, thotë Bektashi.

Në anën tjetër, Skender Krasniqi, si përfaqësues i bizneseve thotë se Banka Qendrore dhe Qeveria e Kosovës duhet të negociojë dhe të ofrojë mundësi më të mëdha bizneseve për kushte më të favorshme për dhënien e kredive.

“Duhet të subvencionohen prodhuesit, fabrikat, investitorët me norma të interesit më të ulëta. Shteti të kontribuojë dhe t’i përkrahë bizneset në mënyrë që normat e interesit të jenë më të ulëta dhe po ashtu edhe shërbimet tjera që ofrojnë bankat të jenë më lehtësuese për bizneset”, thotë Krasniqi.

Sa janë të sigurta paratë e depozituara nëpër banka?
Banka Qendrore e Kosovës, thotë zëdhënësi i këtij institucioni, Kushtrim Ahmeti, nuk i përcakton normat e interesit të bankave komerciale dhe se ato përcaktohen sipas politikave dhe procedurave të brendshme të bankave.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurti ka premtuar se do të lehtësohet qasja në fonde për bujq nëpërmjet rritjes së mbulueshmërisë së kredive nga Fondi për Garantim të Kredive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA