COVID-19/ Kompanitë e transportit ndërkombëtar të mallrave të dorëzojnë emrat e drejtuesve të automjeteve

14/03/2020 15:14

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton kompanitë e transportit ndërkombëtar të mallrave se duhet të dorëzojnë brenda ditës së sotme, 14 Mars 2020, listën me emrat e drejtuesve të automjeteve të cilët do të kryejnë transportin ndërkombëtar.

“Në kuadër të organizmit të transportit ndërkombëtar të mallrave, si pasojë e masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, kërkohet nga të gjitha kompanitë të cilat kryejnë transport ndërkombëtar të mallrave që brenda ditës së sotme, 14.03.2020, ora 23:00 të dorëzojnë në adresën e email [email protected], listën e drejtuesve të automjeteve, të cilët kryejnë transport ndërkombëtar”, thuhet në një njoftim të shpërndarë sot nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kjo listë duhet të përmbajë emër, atësi, mbiemër, ditëlindje, numër pasaporte dhe numrin e lejes së drejtimit ndërkombëtare. Nga ana e autoriteteve do të lejohen të qarkullojnë vetëm kompanitë të cilat do të dërgojnë emrat e drejtuesve të tyre.

Në fillim të javës, MIE njoftoi pezullimin e transportit të pasagjerëve me Italinë, por bëri të ditur se transporti i mallrave nuk do te prekej nga masat shtrënguese në kuadër të emergjencës së Coronavirusit. Me masat e marra nga Qeveria për pezullimin e lëvizjes së automjeteve, kompanitë e transportit të mallrave do të duhet të regjistrojnë drejtuesit e mjeteve për të mundësuar vijimin e punës se tyre.

Top Channel