Qyteti i Beratit ka qenë shumë më pak i zhurmshëm ditën e sotme.

Mbyllja e bareve dhe e lokale në qytet që prej mbrëmjes së djeshme duket se ka reduktuar në masë qarkullimin e njerëzve në rrugë. Në qarkullim ka shumë pak automjete, ndërkohë që të hapura janë vetëm dyqanet ushqimore, marketet dhe farmacitë, ku ka kërkesa të shumta nga qytetarët për doreza, alkool dhe maska, që nuk janë në shitje në asnjë dyqan farmaceutik në Berat.

Gjatë gjithë natës, punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në bashkinë e Beratit kanë vijuar punën për dezinfektimin e rrugëve të qytetit. Në rrugë ka pak lëvizje automjetesh, që në Berat nuk janë penguar ende të qarkullojnë në kuadër të planit të masave të ndërmarra nga qeveria, ndërkohë që vihen re shumë më pak kalimtarë, në krahasim me ditët e tjera.

Nga ana tjetër ka ende qytetarë që lëvizin të papajisur me masa mbrojtëse. Duket se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve nuk janë ndërgjegjësuar akoma që duhet të rrinë më tepër në shtëpi në këtë situatë të rënduar epidemiologjike, pasi qarkullojnë edhe thjesht për të kaluar kohën, duke menduar se mund ta sfidojnë situatën alarmante në të cilën është vendi ynë nga frika e përhapjes së virusit COVID-19.

Njerëzit shprehen se nuk mund të rrinë dot në shtëpi të mbyllur gjithë ditën,se dalin vetëm 1-orë për të shëtitur.

Top Channel