Për tre vjet me radhë, Presidenti amerikan Donald Trump reklamonte rritjen e aksioneve të bursës si dëshmi e suksesit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Por brenda tre javëve, pjesa më e madhe e kësaj rritjeje avulloi. Koronavirusi po ngjall frikën e një recesioni dhe rritja e tregut të aksioneve nën presidentin republikan është tani më pak se gjysma e rritjes së arritur nën paraardhësin e tij Barack Obama gjatë së njëjtës periudhë kohe.
Në kulmin e tij më 19 shkurt, treguesi i bursës S&P 500 ishte rritur me 58 për qind që nga ardhja e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë pas fitores mbi rivalen demokrate Hillary Clinton në nëntor 2016. Por të enjten, rritja e aksioneve nën presidentin Trump ishte vetëm 20 për qind. Presidenti Trump, i cili në mënyrë të përsëritur është mburrur në Twitter dhe para gazetarëve për ecurinë e tregut të aksioneve, e minimizoi masakrën që përfshiu tregjet në Wall Street të enjten.
“Kemi shumë gjëra për të cilat po punojmë me tregjet financiare dhe punët do të jenë në rregull,” u tha Presidenti gazetarëve. “Duhet të kujtoni se tregu i aksioneve, nëse e marrim si shembull, është ende shumë më lart sesa kur erdha unë. Është goditur rëndë, por do të rikthehet përsëri dhe do të rikthehet fuqishëm, në kohën e duhur,” tha ai.
Treguesi Dow Jones shënoi një rënie prej rreth 10 për qind të enjten, dita e tij më e keqe që nga viti 1987. Rënia erdhi pas njoftimit të Presidentit Trump për të pezulluar udhëtimet nga Evropa. Pak sekonda pas njoftimit të mërkurën mbrëma, treguesi Futures, që shërben për të parashikuar tregun, sinjalzoi rënien dramatike. Ndërkohë që po rritet frika se Uashingtoni nuk ka bërë sa duhet për t’u përgatitur për pandeminë e koronavirusit në rritje, treguesi më i gjerë i bursës, S&P 500 shënoi 4.5 për qind rënie, një fund dramatik i rritjes së filluar gjatë presidencës Obama pas krizës financiare dhe që zgjati 11 vjet.
Në muajt e parë të mandatit të parë të Presidentit Trump, aksionet në Wall Street filluan të rriten me shpejtësi, pasi bankat u ndjenë të inkurajuara që republikanët do të shkurtonin kufizimet dhe rregullat financiare. Presidenti Trump e përmbushi këtë premtim. Më vonë fitimet në tregjet e aksioneve u rritën më tej nga ulja historike e taksave që zhbllokoi para duke i bërë kompanitë të ri-blenin letrat e tyre me vlerë, të cilat arritën nivele rekord. Që nga e hëna, rënia e tregjeve të aksioneve po i kushton amerikanit mesatar rreth 16,000 dollarë humbje, kryesisht përmes humbjes së kursimeve për pensione të depozituara në aksionet e Wall Street-it./VOA
Top Channel