Shahini: Edhe për nxënësit e arsimit fillor do të zhvillohen orë mësimore në TV

13/03/2020 13:54

Ministrja Besa Shahini ka vijuar me adresimin e të tjera pyetjeve të ardhura nga nxënës dhe prindër në lidhje me mbarëvajtjen e procesit mësimor nga shtëpitë dhe tema të tjera që kanë të bëjnë me rifillimin e procesit normal të mësimit.

Për pyetjen se “kur do të rifillojë shkolla”, ministrja Shaihini ka nënvizuar se: “Planet tona janë që mësimin ta rifillojmë me datë 23 mars. Task forca për Koronavirusin ka paraparë që mbyllja e shkollave në një afat dy javor deri më 23 mars është e nevojshme, por edhe e mjaftueshme. Në qoftë se kjo ndryshon, do t’ju njoftojmë me kohë”.

Ndërkohë, në lidhje me pyetjen për dezinfektimin e shkollave para rifillimin të procesit mësimor, ministrja shprehet se: “Disa janë dezinfektuar këtë javë dhe disa do të dezinfektohen javën tjetër. U kemi çuar një letër të gjitha bashkive që t’i rikujtojmë që të bëjnë dezinfektimin e shkollave para 23 marsit, para se të fillojë mësimi”.

Pyetjes së një prindi që thotë se “Fëmija im ka bërë leksione që jepen në Televizion, si do të jetë programi në vazhdim, pasi shkolla të ndryshme punojnë me libra të ndryshëm”, ministrja Shahini i është përgjigjur se:
“Leksionet aktuale kryejnë dy funksione, përsëritja e disa prej leksioneve që janë bërë shkollë, dhe e dyta të mos mbesim mbrapa me mësimet që nuk janë bërë ende dhe duhet të ishin bërë gjatë këtyre dy javëve”, ndërsa shton:
“Por kjo nuk e zëvendëson punën që bëhet direkt me mësuesen. Kështu që ju inkurajojmë dhe kërkojmë nga nxënësit që të rrinë në kontakt të vazhdueshëm me mësuesit. Të marrin instruksionet nga ata se cilat leksione duhet t’i bëjnë vetë në shtëpi, cilat pjesë nga librat duhet t’i lexojnë, cilat detyra të shtëpisë duhet t’i mbyllin gjatë këtyre dy javëve, në mënyrë që kur të kthehemi në shkollë të bëjmë një përsëritje të shkurtër dhe të vijojmë pastaj me orët e tjera që duhet t’i mbyllim këtë gjysmë vjetor” – shprehet ministrja Shahini në video-mesazh.

Ajo tha se edhe për nxënësit e arsimit fillor do të zhvillohen orë mësimore në TV. Ndërkohë, për gjuhën shqipe gjithashtu do të zhvillohen orë mësimi në televizion dhe online. Jo vetëm për arsimin fillor që do t’i mbulojmë javës tjetër, por edhe për arsimin e mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.

“Për nxënësit që kanë provimet e lirimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) po përgatit programet orientuese edhe për klasën e 9-të edhe për klasën e 5-të. Do të jenë në dispozicionin tuaj duke filluar nga java tjetër”, nënvizoi gjithashtu Ministrja Shahini.

Top Channel