Vendet mund të fitojnë kohë në plan afatmesëm duke kufizuar udhëtimet për të luftuar koronavirusin e ri, por OBSH mendon se në përfundim, kufizimi i lëvizjes nuk ndihmon.

Bruce Aylward, që kryesoi një ekip të OBSH në Kinë gjatë kulmit të epidemisë atje, thotë se ndalimi i udhëtimeve, zakonisht nuk është pjesë e arsenalit që nevojitet për të përballuar situatën. Ajo që ne kemi zbuluar, si parim i përgjithshëm, është se kufizimi i lëvizjeve nuk ndihmon. Ajo që kërkon vërtetë vëmendje është: ku është virusi? Rastet dhe kontaktet.

Ai foli një ditë pasi drejtori i përgjithshëm i OBSH, tha se përhapja e virusit në të gjithë botën do të thotë se jemi në kushtet e pandemisë dhe pasi presidenti Donald Trump, njoftoi ndalimin e përkohshëm të udhëtarëve nga pjesa më e madhe e Evropës. Edhe shumë shtete të tjera, përveç SHBA, kanë vendosur kufizime të udhëtimeve. Sipas Aylward, njerëzit janë konfuzë për virusin. Ai këshillon larjen e shpeshtë të duarve dhe praktika të tjera sanitare për të evituar infeksionin dhe testimin sa më të shpejtë kur dikush dyshon se është ekspozuar ndaj virusit.

Ai po ashtu hedh poshtë disa mite dhe keqkuptime për virusin. Ai tha se njerëzit nuk duhet të shqetësohen për mallra që vijnë nga vende me numër domethënës rastesh dhe kujton se teshtimat nuk janë një simptomë e Covid 19, por temperatura e lartë dhe kolla e thatë. Por, ndërsa shumë njerëz pyesin nëse virusi do të largohet bashkë me sezonin e dimrit, ai thotë se nuk do të vinte bast tek nëna natyre.

Sipas tij, është më mirë të bazohesh tek gjetja e rasteve, izolimi i tyre, gjurmimi i kontakteve. Ai thotë ndërkohë se ka patur besim të jashtëzakonshëm në aftësitë e SHBA për ta vendosur situatën nën kontroll pasi shumë epidemiologë në kinë, vendin që tashmë ia doli mbanë në minimizimin e rasteve të reja, janë trajnuar në shtetet e bashkuara. Ata dijnë ta bëjnë këtë – tha Aylward – dhe ata kanë trajnuar mijëra njerëz të tjerë. Mobilizojeni atë ushtri dhe do ta mundni këtë armik të ri.

Top Channel