E gjithë qeveria në Rumani është në vetëizolim për 14 ditë pasi një senator testoi pozitiv për Covid 19.

Ai ishte në parlament, ditët e fundit ndërsa partitë e krahut të djathtë përpiqeshin të krijonin një qeveri të re. Kryeministri në detyrë, Lufovic Orban, tha në një konferencë për shtyp se të gjithë anëtarët e qeverisë, përfshirë disa anëtarë të partisë së tij, do të vendosen në vetëkarantinë.

Rumania ka 70 raste të konfirmuara të koronavirusit deri më tani, por asnjë viktimë. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë njerëz në botë po punojnë nga shtëpia ndërsa koronavirusi i ri përhapet. E kështu, po bën edhe kryeministri Justin Trudeau. Lideri kanadez po përpiqet ta drejtojë vendin në vetëizolim, pasi e shoqja, Sofi Trudeau testoi pozitive për koronavirus. Virusi ka bërë që me dhjetëra zyrtarë qeverish nëpër botë, nga administratorë e deri tek shefat e shteteve, të marrin masa parandaluese pasi kanë zbuluar se janë infektuar apo kanë qenë në kontakt me njerëz të infektuar. Nuk ka një sugjerim ende nëse Trudeau e ka vetë virusin, por ai i bashkohet një liste të gjatë zyrtarësh që kanë larguar veten nga vendet e tyre të punës, mes tyre, ligjvënës amerikanë, ministri britanik i shëndetësisë, zëvendësministri iranian i shëndetësisë, ministri francez i kulturës dhe presidenti i parlamentit evropian.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, po pret aktualisht për rezultatin e testit pasi sekretari i tij për shtypin kishte rezultuar pozitiv. Në SHBA, presidenti Trump ndërkohë po i thotë njerëzve të afërt se tani ai është i shqetësuar për kontaktet me njerëz të prekur. Ndërkohë, nëntë ligjvënës amerikanë, disa prej të cilëve janë takuar me Trump, po hyjnë tani në vetëkarantinë si masë mbrojtëse pasi kishin hyrë në kontakt me një tjetër person të infektuar. Ndërkohë, qeveria e Iranit është prekur veçanërisht nga virusi me të paktën 23 pjesëtarë të parlamentit, pozitivë ndaj virusit dhe dy deputetë të vdekur. Dhe në Mongoli, presidenti dhe zyrtarë të tjerë janë vënë nën karantinë për dy javë pas kthimit nga një udhëtim në Kinë.

Politikanët, nuk janë gjithnjë në gjendje të menaxhojnë distancimin social që nevojitet për vënien nën kontroll të infektimit. Në kohë krizash, ata duhet të shtrëngojnë shumë duar, të vizitojnë spitalet, etj. Por çdo lider do të bënte mirë të kishte plane për të vazhduar drejtimin e qeverisë në rast vetëizolimi apo karantine.

Top Channel