Koronavirusi/ Dalin analizat për deputeten e PS dhe bashkëshortin e saj mjek në Durrës

13/03/2020 14:03

Bashkëshorti i deputetes Klodiana Spahiu, Edi Spahiu, njëherazi mjek i Spitalit të Durrësit, ka rezultuar negativ me COVID-19. Spahiu ishte një nga mjekët që i ka shërbyer pacientes 73-vjeçare e cila ndërroi jetë në spitalin e Durrësit.

Megjithëse ne ruajtëm emrin e mjekut, dhe bashkëshortes së tij, deputete e Kuvendit, për shkak të etikës, në media u zbulua identiteti i tyre. Dhe tani kemi një lajm të mirë! Mjeku Edi Spahiu dhe e shoqja, Klodiana, kanë rezultuar të dy negativë pas testimeve të kryera për COVID-19.

Nga rezultati i analizave duket se pacientja e moshuar në Durrës, mund të mos ketë infektuar në masë stafin mjekësor.

Jo më larg se sot, Ministria e Shëndetësisë, njoftoi se është infektuar nga COVID-19 një nga mjekët e tjerë të spitalit të Durrësit, i cili ndodhet në shtëpi, i vetë-karantinuar, pasi iu bë testi i parë.

Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 33 të prekur. Një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit dhe vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, dhe Lushnje. Jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, me ndërprerjen e transportit dhe punës. Po ashtu shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private.

E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.

Top Channel