“Javët që vijnë do jenë të vështira”/ Veliaj: Të lutem kushtoji 5 minuta këtij mesazhi

13/03/2020 12:15

Kryebashkikaku Erion Veliaj , në një mesazh publik u bën një thirrje qytetarëve në kuadër të situatës në të të cilën jemi.

“Javët që vijnë do jenë të vështira. Jeta në qytetin tonë po ndryshon e do vazhdojë të ndryshojë në këto kushte.

Duhet të bashkohemi përballë kësaj sfide ashtu sikur edhe për tërmetin”, tha Veliaj.

Mesazhi i plotë i kryebashkiakut Erion Veliaj:

Të dashur bashkëqytetarë të Tiranës!

Javët në vazhdim do jenë të vështira. Për shumë prej nesh, do jenë më të vështira se çdo gjë që kemi hasur në jetën tonë. Jeta në qytetin tonë po ndryshon e do vazhdojë të ndryshojë në kushtet sfiduese të kësaj epidemie. Duhet të bashkohemi përballë kësaj sfide, ashtu siç u bashkuam për tërmetin, sepse ky virus kërcënon me shumë se sa tërmeti; as nuk e shohim, as nuk dimë ende si ta luftojmë me vaksina.

Por, mund ta mundim dhe DO TA MUNDIM!

Kryeministri Rama dhe qeveria e tij po marrin masat më të nevojshme për ta drejtuar e fituar ketë betejë. Por, as ai, as qeveria, nuk ia del dot nëse secili prej nesh nuk bën maksimumin e vet, duke bashkëpunuar si kurrë më parë me qeverinë. Për momentin, ilaçet dhe vaksinat nuk e mundin këtë sëmundje. Por, njerëzit mund ta vënë poshtë. Sot s’kemi një vaksinë apo trajtim të certifikuar. Gjer sa të vijë ajo ditë, kemi njëri-tjetrin. Zgjedhjet që bëjmë, vendimet tona, sjelljet tona – janë vendimtare.

Prioriteti më i madh në këto javë është të ruajmë qytetarët e rrezikuar më shumë dhe sistemin spitalor, i cili do punojë për trajtimin e tyre. Mos e merrni lehtë, kjo është një sëmundje e rrezikshme! Shumica e të infektuarve e kalojnë këtë sëmundje, por ajo është ekstremisht e rrezikshme për të moshuarit apo ata me probleme kronike me shëndetin. Nëse nuk jeni një prej tyre, jam i sigurt që doni fort njërin prej tyre, që mund të jetë prindi apo gjyshi juaj – ndaj, të gjithë kemi një interes madhor në këtë betejë. Edhe nëse jeni i ri apo e re dhe me risk të vogël, mund të jeni bartës për te gjyshi a prindi në moshë, të cilët i rrezikoni seriozisht.

Ndaj është JETIKE për Tiranën që të respektojë urdhrat e kryeministrit për DISTANCIMIN SOCIAL. E kuptoj që kjo tingëllon absurde për dikë si unë, që kam 5 vite që këmbëngul se ky qytet bëhet i mirë kur jemi BASHKË. Por, në këtë kontekst, BASHKË nënkupton të rrimë në shtëpi, të mbajmë higjienën dhe distancën nga kontakti me të tjerët.

Në këtë 100-vjetor të Tiranës, kjo është sfida më e madhe e këtij shekulli dhe duhet të përfshijë gjithë shoqërinë tonë. Sot lutjet e inkurajimet tona shkojnë për të gjithë mjekët në frontin e parë të punës. Por, lutjet nuk mjaftojnë! Ne mund të japim një kontribut direkt për ta: duke zbatuar masat agresive të distancimit social, u japim atyre kohë të trajtojnë pacientët në numra më të vegjël, duke mos mbingarkuar spitalet me shumë pacientë njëkohësisht, çka do të ishte sfiduese për çdo sistem shëndetësor – siç po shohim te fqinjët.

Duke reduktuar numrin e njerëzve të sëmurë në një moment të caktuar, është mënyra më e mirë për të mos kolapsuar spitalet. Kjo ndihmon jo vetëm pacientet me CoronaVirus, por këdo tjetër që kërkon trajtim në spital. Për mjekët do të kemi një transport të veçantë, në kushtet kur autobusët, si në Tiranë, janë pezulluar si vatra potenciale për virusin, të cilët edhe pse dezinfektohen, prania e mbi 50 vetëve e bën të pakontrollueshëm kontaminimin publik të pasagjerëve.

Distancimi Social dhe larja e duarve, janë gjërat më të rëndësishme që mund të bëjë një kryeqytetas i Tiranës sot, për ta mundur këtë sëmundje. Ne duhet të bashkëpunojmë që të moshuarit, pensionistët, veteranët etj., të moshës së tretë në komunitetin tonë, të kontrollohen përmes telefonit për t’u siguruar që janë në gjendje të mirë gjatë kësaj beteje. Ju ftoj të gjithëve ta bëni këtë për fqinjët, gjyshërit e të afërmit tuaj.

Asnjë nga këto masa nuk funksionon pa ndihmën tënde. Disa prej jush ndoshta keni bindje të ndryshme nga të miat dhe shumica që e qeveris këtë qytet. Me disa prej jush ndoshta kemi debate të papajtueshme, por kjo nuk ka rëndësi tani. Rëndësi ka ta fitojmë këtë betejë. Pasi të mbarojë kjo, i rikthehemi debatit për teatrin, lodrat, e çdo punë tjetër që ha debat.

Kjo do të jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë, por duhet ta fitojmë dhe do ta fitojmë. Kryeministri po bën të vetën, qeveria te vetën, unë do bëj timen, e duhet që edhe ti të bësh tënden.

Ju dua të gjithëve me gjithë zemër, ndaj mbani higjienën, mbani distancën e mbani besimin se do t’ia dalim!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA