Edhe Italia pezullon transportin urban dhe atë interurban, forcohen masat ndaj koronavirusit

12/03/2020 09:13

Pas Shqipërisë, dhe bashkitë Italiane ndërpresin transportin urban dhe interurban, në kuadër të masave për mbrojtjen nga koronavirusi.

Në bazë të dekretit të presidentit, më 23 shkurt 2020, drejtuesit e rajoneve mund të pezullojnë aktivitetin e shërbimit publik lokal , shoqëruar edhe me ndërhyrjet e nevojshme të pastrimit dhe dezinfektimit, me qëllim zbatimin e masave të emergjencës për parandalimin e përhapjes së mëtejshëm të koronavirusit.

Ndërkaq, neni 3 i dekretit të Presidentit italian, parashikon që ministri i Infrastrukturës dhe i Transporteve, në bashkëpunim me ministrin e Shëndetësisë, mund të vendosin si masë të nevojshme ndaj koronavirusit, pezullimin e transportit automobilistik ndërajonal, të transportit hekurudhor, ajror, dhe atij detar.

Këto masa të përforcuara synojnë parandalimin e përhapjes së koronavirusit, i cili deri më sot në Itali ka shkaktuar 827 të vdekur dhe 10590 të infektuar.

Ndërkohë që do të ofrohen vetëm ato shërbime që cilësohen thelbësore, dhe jetike për qytetarët.

Sakaq, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, firmosi mbrëmjen e djeshme edhe vendimin për pezullimin e transportit publik ne kryeqytet, duke specifikuar edhe masat e ndërmarra në kuadër të luftës ndaj koronavirusit.

Top Channel