Ndërpritet transporti publik dhe mbyllen lokalet, 5 mijë euro gjobë për ata që thyejnë karantinën

12/03/2020 01:43

Në vijim të planit të masave mbrojtëse me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Bashkia e Tiranës dhe Durrësit njoftoi të gjithë qytetarët se nga dita e enjte, datë 12 mars, do të pezullohet shërbimi i transportit publik për një afat të pacaktuar.

Për sa më sipër, prej orës 05:00 të ditës së sotme këto linja do të ndërpriten deri në një njoftim të dytë:

– Shërbimi i transportit qytetas (linjat brenda qytetit të Tiranës dhe Durrësit);
– Shërbimi i transportit rrethqytetas (linjat që lidhin qytetin e Tiranës me ish njësitë administrative/ komunat);
– Shërbimi i transportit ndërqytetas ushqyes (linjat që lidhin Bashkinë e Tiranës me Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës).

Bashkia e Tiranës dhe Durrësit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masën e pezullimit të përkohshëm të këtyre shërbimive të transportit, por gjykon se masa është e domosdoshme për të rritur efiçencën e sistemit të mbrojtjes ndaj përhapjes së mëtejshme të virusit.

Ndërkohë në të gjithë vendin vijuan kontrollet e policisë. Ndërkaq u boshatisen lokalet dhe restorantet në Tiranë dhe Durrës. Kryeministri Rama lajmëroi masa edhe më ekstreme për të luftuar koronavirusin. Ai tha se do ketë gjoba deri në 5 mijë euro për ata që thyejnë karantinën, ndërsa në rrugë dolën patrulla të policisë dhe ushtrisë.

Top Channel