Ish-ministrit të Drejtësisë i vdes njeriu i afërt: Ju kuptoj nëse nuk vini në varrim për shkak të koronavirusit

12/03/2020 10:45

Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka njoftuar se ka humbur vjehrrin e tij Mark Kilica.

Por duke ditur situatën në të gjithë vendin tonë me koronavirusin pjesëmarrja në vende ku grumbullohen shumë njerëz është ndaluar si një nga masat për të mos përhapur virusin.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale Halimi shprehet se mirëkupton gjithkënd që për shkak CoVid19 që tashmë është shpallur një pandemi globale, nuk mund të jetë i pranishëm në ceremoninë e varrimit.

Ndërkohë ai shkruan se të gjitha ritet për nderimin e të vdekurit do të bëhen në një moment të dytë pas kalimit të kësaj situate të jashtëzakonshme.

“Pas njê semundje të gjatë ndërroi jetë në moshë 86-vjeçare Marku Kilica, babai i bashkëshortes sime.

Ai ishte nipi i Tonç Kilicës, Kryetarit të Parë të Bashkisë Fier, i cili ngriti flamurin në Fier, vëllai i heroit Janaq Kilica, vëllai i Vilson Kilicës, piktorit të popullit dhe pasardhës i shumë patriotëve të tjerë në qytetin e Fierit. Marku studioi për Inxhinieri në Kinë dhe gjithë jeten ia përkushtoi ndërtimit dhe drejtimit si Kryeinxhinier i Azotikut ne Fier. Ai u martua me Klarën dhe solli në jetë dy vajza, Holtën dhe Lean, bashkëshorten time!

Të dashur miq, shokë e të afërm,

Une e di se ne kushte normale secili prej jush do donte të ishte bashkë me ne, me familjen tonë, që të na gjendeshit në këtë ditë shumë të trishtuar për të gjithe ne, ashtu si dhe ne iu jemi gjendur. Por në kushtet në te cilat ndodhet vendi, pandemine e CoronaVirus, gjithë familja jone e mirëkupton plotësisht pamundësinë tuaj sipas rastit për të marrë pjesë në ceremonine e sotme mortore tek Alba 2000 pranë Medresesë në Tiranë dhe funeralin që nis në orën 12.00 për në varrezat e Sharrës!

Koha kërkon që të ndryshojmë zakonet tona shekullore dhe ne të gjithë ju mirëkuptojmë për këtë! Shëndeti juaj dhe i familjarëve tuaj është para se gjithash dhe mbi të gjitha!

Të gjitha ritet sipas zakonit, vizitat pas mortore dhe dreka përkujtimore do të zhvillohen në një moment tjetër pas kalimit të situates me CoronaVirus.

Ju falenderojme shumë për mesazhet tuaja! Në emrin tim dhe të gjithë familjes së bashkëshortes sime”– shkruan Eduard Halimi.

Top Channel