Kosova dhe Mali i Zi janë të vetmet vende të rajonit që nuk kanë raportuar raste të koronavirusit. Është një çudi thonë mediat e huaja, sesi Mali i Zi nuk ka ende asnjë rast kur Covid 19 ka mbërritur në tre vendet që ndajnë kufijtë me të, Shqipëri, Bosnje Hercegovinë e Serbi.
Në Kosovë po kështu janë testuar gati 80 persona, por që të gjithë rezultuan negativë. Kjo nuk e ka penguar ekzekutivin atje megjithatë të marrë masa për mbërritjen e mundshme të sëmundjes, përfshirë këtu një buxhet prej 10 milionë eurosh, që mendohet se do të i mjaftueshëm për t’i pajisur të gjitha institucionet shëndetësore, emergjencat si dhe për adaptimin e objekteve për të trajtuar rastet që mund të paraqiten. Janë marrë sakaq masa në pikat e kalimit kufitar dhe në aeroportin e Prishtinës, ku të gjithë personat i nënshtrohen kontrolleve të rrepta.
Maqedonia e Veriut, ku numri i infektimeve nga katër shkoi në shtatë të martën, ka vendosur të mbyllë kopshtet dhe shkollat për 14 ditë, ndërsa prindërit e fëmijëve të vegjël mund të qëndrojnë gjatë kësaj periudhe në shtëpi. Rumania që konfirmoi 30 raste së fundi, vendosi të izolojë menjëherë në mbërritje të gjithë udhëtarët nga Spanja, Franca dhe Gjermania. 14 ditë vetëkarantinim të detyrueshëm i ka vendosur Kroacia me 16 raste të konfirmuara personave që mund të mbërrijnë nga Italia, Kina e Koreja e Jugut. Bosnje Hercegovina ua ndalon kategorikisht hyrjen të gjithë shtetasve që vijnë nga zona me numër të lartë rastesh të koronavirusit. Sllovenia urdhëroi mbylljen e kufijve me Italinë. Serbia po ashtu ua ndalon rreptësisht hyrjen personave që mbërrijnë nga Italia, Zvicra, Kina, Koreja e Jugut dhe Irani.
Top Channel