Lorrente çon Atleticon në “parajsë”, Liverpooli tradhtohet sërish nga portieri

11/03/2020 23:58

Marcos Llorente e kthen nga “ferr”në “parajsë” mitikun “Anfield Road” për Atleticon e Madridit. Dy golat e sulmuesit 25-vjeçar në pjesën e parë të shtesës (97’ dhe 105+1’) si dhe finalizimi u Alvaro Moratas në minutën e 121-të u siguruan një kualifikim të çendur “Los Colchoneros” në stadiumin e Liverpoolit, aty ku tifozët vendës kishin kaluar në ekstazë që në minutën e 43-të, kur holandezi Wijnaldum zhbllokoi sfidën, duke kthyer gjithçka në ekulibër pas humbjes 1-0 të “The Reds” në në takimin e parë të zhvilluar në “Wanda Metropolitano”.

Nuk qe e thënë që kampionët në fuqi të Championsit të avanconin më tej, edhe pse në fillim të pjesës së parë shtesë Firminho e çoi rezultatin në 2-0, duke krijuar bindjen se për ekipin e Simoenes nuk kishte më shpresë për kualifikimin.

Liverpooli, në fakt, “u tradhtua” nga portieri Adrian, i cili gaboi rëndë në spastrimin e zonës në minutën e 97-të, kur ia dorëzoi topin Joao Felixit, por edhe në vendosje në momentin e goditjes së Llorentes për golin e 2-1, si dhe në rastin e pësimit të golit të dytë, duke u zhvedosur më shumë se çduhet nga e djathta. Goli i shënuar në fund nga Morata mori vetëm vlerë statsitikore, pasi eliminimi i Liverpoolit tashmë ishte vendosur.

Top Channel