Irlanda ka konfirmuar viktimën e parë nga virusi vdekjeprurës, Covid-19, e konfirmuar kjo nga qeveria, në një deklaratë, këtë të mërkurë.

Viktima, një grua e moshuar, ndërroi jetë në një spital në Dublin, ku ishte duke u trajtuar për Covid-19. Pacientja ishte në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe ajo ishte shtruar në spital disa ditë më parë.

E gjithë kjo vjen pas dy raste të reja të sëmundjes të konfirmuara në Irlandën Veriore, duke e çuar totalin në 18.
 
Dr. Holohan, Zyrtari Kryesor i Mjekësisë në Departamentin e Shëndetit, u bëri thirrje mediave dhe publikut që të respektojnë privatësinë e tyre.

“Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të ndërprerë transmetimin e këtij virusi. Do të na duhet të gjithë, kolektivisht, të kemi sukses. Ju lutemi vazhdoni të ndiqni këshillat e shëndetit publik,” shton ai.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e koronavirusit si pandemi, vetëm pak momente më parë.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se numri i rasteve të infektuara jashtë Kinës është rritur për 13 herë më shumë në dy javët e fundit.

Ai ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” nga “niveli alarmues i mungesës së veprimit” ndaj këtij virusi.

Pandemia është sëmundje që shpërndahet në shumë shtete në botë në kohën e njëjtë.

Megjithatë, Tedros ka thënë se ende nuk është shumë vonë që qeveritë të kenë ndikim.

“Të gjitha shtetet mund të ndryshojnë rrugën e kësaj pandemie”, ka thënë ai.

Qeverive u është dashur “të gjejnë balancë në mes të mbrojtjes së shëndetit, zvogëlimit të dëmit dhe respektimit të jetës së njerëzve”.

“Ne jemi bashkë për të bërë gjërat e duhura me qetësi, me qëllim të mbrojtjes së njerëzve në gjithë botën. Është e mundshme”, ka thënë ai.

Në gjithë botën nga ky virus janë infektuar 121,061 persona, 4,368 kanë vdekur, ndërkohë që rreth 66,000 janë shëruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA