Greqia merr masa ndaj koronavirusit/ Do të përdoren hotelet, nëse situata del jashtë kontrollit!

11/03/2020 12:39

Ministria greke e Shëndetësisë ka vendosur të përdorë ambiente hotelesh, nëse situata me Covid-19 del jashtë kontrollit dhe vërtetohen dyshime për pandemi të virusit.

Burime nga ministria e Shëndetësisë kanë nisur kontaktet me dhomën e hoteleri-turizmit, së cilës i kërkojnë të përzgjedhë ambiente, për të cilat në vazhdim do të shpallë rekuizimin e tyre me një urdhër të posaçëm. Ndonëse nuk ka vend për panik dhe për momentin situata është nën kontroll, qeveria greke po përgatit gjithë skenarët për përballimin e situatës. Më herët, zëdhënësi i qeverisë, Stelios Pecas njoftoi se po merren të gjitha masat për përballimin e situatës dhe se spitalet kanë rezerva të mjaftueshme në barna dhe furnizime, për të përballuar akoma edhe skenaret më ogurzi për vendin.

Po merren masa për shtimin e shtretërve nëpër spitale, shtimin e dhomave me presion të ulët, mbylljen e aktiviteteve në të cilat ka grumbullime njerëzish, masa për lehtësimin e bizneseve, siç janë shtyrja e pagesës së vlerës së shtuar dhe sigurimeve për të gjitha bizneset e vendit, leje të posaçme për stafet e kompanive dhe stimul për punësimin nga shtëpia, si dhe nje sërë masash teknike për lehtësimin e bizneseve të prekura prej kësaj situate.

Në orët e mbasdites, priten të merren masa lidhur me kufizimin e lëvizjes së trageteve që lidhin portet greke me Italinë, si dhe pakësimin e lëvizjeve në linjat brenda ishujve të vendit. Synimi është që vendi të mos izolohet dhe lëvizja me vendet fqinje, si nga deti edhe nga toka, të vazhdojë normalisht.

“Askujt nuk i intereson mbyllja e kufijve, ndaj nuk do të pengojmë askënd të lëvizë, por u bëjmë thirje qytetarëve të marrin masat e duhura përpara se të nisen për udhëtim dhe natyrisht të shmangin lëvizjet e panevojshme” ,deklaroi Pecas.

Gjatë orëve të mbasdites do të vendosen edhe masa të tjera, të cilat do të bëhen publike prej kryeministrit Micotakis, gjatë një daljeje që ai do të bëjë lidhur me situatën.

 

Top Channel