Qeveria ka pezulluar plotësisht fluturimet me Italinë.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se nuk do të lejohet të fluturojë më asnjë avion me pasagjerë nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas.

Edhe udhëtimi përmes trageteve do të ndalet plotësisht. Anijet dhe avionët që transportojnë mallra do te lejohet të qarkullojnë lirisht, njësoj si më parë. Po kështu qeveria do të lejojë edhe avionët apo tragetet e posaçme që vijnë për të tërhequr shtetasit italianë nga Shqipëria, me kushtin që ata të hyjnë pa pasagjerë në vend.

Ndërkohë ministrja e Infrastrukturës u ka kërkuar qytetarëve që të mos paraqiten fizikisht në sportelet e kompanive publike si OSHEE apo ujësjellësat, por të përdorin shërbimet online.

Epidemia e koronavirusit në Itali shpërtheu në 25 shkurt. Për më shumë se dy javë qeveria e la të lirë lëvizjen e pasagjerëve nga Italia drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Por me konstatimin e dy rasteve të para të infeksionit në Shqipëri si dhe me shpalljen e Italisë zonë e kuqe, qeveria vendosi të bllokojë totalisht lëvizjen e pasagjerëve mes dy vendeve.

Top Channel