Zbatohet urdhri i qeverisë/ S’ka fluturime në veri të Italisë/ Qytetarët: Nuk kemi kompensim të biletave

09/03/2020 11:30

Menjëherë pasi qeveria dha urdhrin që të gjitha fluturimet drejt veriut të Italisë të pezullohen, masat janë vënë në zbatim.

Top Channel mëson se të gjithë pasagjerët që kishin si destinacion veriun e Italisë janë kthyer mbrapsht në Rinas.

Por qytetarët thonë se ata nuk kanë asnjë informacion për kompensimin e biletave, vetëm për anulimin e fluturimeve.

“ Jo ça kompensimi, s’na thanë asnjë gjë. Na thanë thjesht që janë anuluar të gjitha, ska kompensim”, thanë dy qytetarë.

“Masat e sotme janë pezullimi i fluturimeve drejt veriut të Italisë dhe drejt zonave të kuqe, deri më 3 prill”, tha kryeministri më herët.

Më herët në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, u ndaluan të gjitha fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe:

• Aeroporti Milano Malpensa (MXP)
• Aeroporti Milano Bergamo (BGY)
• Aeroporti Bologna (BLQ)
• Aeroporti Firenze (FLR)
• Aeroporti Genoa (GOA)
• Aeroporti Perugia (PEG)
• Aeroporti Pisa (PSA)
• Aeroporti Rimini (RMI)
• Aeroporti Venezia (VCE)
• Aeroporti Verona (VRN)

Autoriteti Aviacionit Civil ka lëshuar menjëherë udhëzimin drejtuar Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror “Albcontrol” për nxjerrjen e njoftimeve të nevojshme për zbatimin e këtij kufizimi të fluturimeve për/nga aeroportet e lartpërmendura, deri në një njoftim të dytë.

Top Channel