Covid-19 është ende një virus i ri me shumë të panjohura për mjekësinë botërore. Deri tani, gjithë çfarë ekziston kundër tij janë kura eksperimentale.
E para, është ajo e sugjeruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila bazohet në një miks ilaçesh anti-virale, që përdoren edhe kundër HIV-it dhe Ebolës.
Por mjekët italianë pohojnë se në Kinë ka dhënë rezultate pozitive terapia që përdor plazmën e pacientëve të shëruar. Zyrtarë të lartë kinezë të shëndetit i patën bërë madje edhe thirrje personave të shëruar të dhurojnë gjak. Sipas mjekëve kineze, plazma e tyre përmban protetina të vyera që mund të përdoren për trajtimin e pacientëve të sëmurë.
Kompania shtetërore China National Biotec Group kishte dalë me pretendimin se antitrupat e këtyre personave kishin ndihmuar në shërimin e 10 pacientëve të sëmurë rëndë, duke e reduktuar inflamacionin e tyre brenda 12 deri në 24 orësh. Një terapi e tillë, në Itali nuk është adoptuar ende. Skepticizmi rreth saj megjithatë nuk mungon. Antitrupat janë protein që sistemi imunitar i krijon për të luftuar viruset, bakteriet apo substance të tjera të huaja. Por Dr. Eric Cioe-Peña, drejtor i Northwell Health në New York, thotë se ndonëse në teori mund të duket një ide e mirë, ajo kërkon shumë testim dhe studime të thelluara, e përpos kësaj, është mjaft e rrezikshme sipas tij, të anashkalohen proceset normale të trajtimit të të sëmurëve.
Top Channel