98 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga të dyja shkallët e vettingut, ndërsa 91 të tjerë janë rikonfirmuar në detyrë. Gjithsesi, gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar tashmë i janë drejtuar Strasburgut për të gjetur të drejtën e tyre.

Shumë prej gjyqtarëve janë bërë bashkë dhe i kanë dërguar një letër Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, përmes së cilës shprehin shqetësimin për procesin e rivlerësimit që po ndodh në Shqipëri, teksa vënë në dukje edhe faktin se paratë e tyre që janë konstatuar nga kontrollorët janë të ligjshme.

Gjyqtarët dhe prokurorët pretendojnë se anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nuk kanë kualifikimet e duhura dhe janë emëruar në atë detyrë, në disa raste edhe në shkelje të parashikimeve ligjore.
Ndërkohë që argumentojnë se zgjedhja e tyre është bërë nga Kuvendi, pa pjesëmarrjen e asnjë përfaqësuesi të gjyqësorit dhe të gjithë vijnë nga radhët e administratës.

Ish-magjistratët ngrenë pretendime për qëllimin e vërtetë të procesit, që sipas tyre po rezulton të jetë një proces “terminal që po kryhet nga njerëz jokompetentë”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, si instanca e parë e organeve që kryejnë procesin e vetingut, në mënyrë flagrante mban qëndrime të ndryshme për situata identike ose të ngjashme, duke shfaqur një qasje të dyfishtë ose shumëfishtë, në kurriz të parimit të sigurisë juridike – thuhet në pretendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA