Hapen dyert për studentët/ Akademia e Forcave të Armatosura akreditohet Institucion i Arsimit të Lartë

07/03/2020 10:43

Pas vitesh ndërprerje, Akademia e Forcave të Armatosura rikthehet të funksionojë si institucion i arsimit të lartë dhe këtë vit do të hapë dyert për studentët që dëshirojnë të studiojnë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Lajmin për rihapjen e Akademisë së FA, ministrja Xhaçka e dha me rastin e Ditës së Mësuesit, të cilën e festoi me pedagogët dhe kursantët e Forcave të Armatosura. Duke e konsideruar Akademinë një strukturë jetike për Forcat e Armatosura, ministrja Xhaçka vlerësoi se akreditimi i saj si institucion i arsimit të lartë, do të mundësojë rekrutime më cilësore për burimet njerëzore të mbrojtjes e sigurisë në Shqipëri.

“Është një ngjarje vërtet e madhe jo thjesht për ne, për skuadrën që punoi aq shumë për ta bërë realitet dhe Forcat e Armatosura në tërësi. Është një institucion me një rol kyç në projektin tonë për modernizimin dhe profesionalizimin e FA. Dhe e di shumë mirë, se çfarë mungese e madhe, në fakt dhe çfarë dobësie e madhe ka qenë kjo për zhvillimin e FA. Kjo Akademi është një nga hallkat më të rëndësishme të të gjithë ngrehinës së mbrojtjes dhe sigurisë në Shqipëri. Kjo do të lejojë që edhe të rekrutojmë në radhët tona djemtë e vajzat më të zotë e të talentuar. Pra, të rekrutojmë më shumë edhe më mirë. Ky është një moment gëzimi legjitim. Është një moment krenarie legjitime. Sepse e dimë sa shumë punë u desh për të arritur deri këtu. Dhe e dimë po ashtu, që përmes kësaj pune kemi hedhur themelet e diçkaje më jetëgjatë sesa karrierat e kujtdo këtu prej nesh në FA apo mbrojtje. Kemi hedhur themelet e modernizimit të qëndrueshëm të mbrojtjes e sigurisë në Shqipëri”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Objektivat kryesorë të Akademisë do të jenë Mbështetja e FA me burimet e mjaftueshme njerëzore, në përmbushje të detyrimit kushtetues për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare; përputhja e plotë e arsimimit ushtarak me sistemin e arsimit kombëtar dhe përafrimi me sistemin ushtarak të vendeve të NATO-s.

Burimi i rekrutimit do të jetë nga institucionet e arsimit parauniversitar, nëpërmjet Maturës Shtetërore, si për studentët që do të dërgohen në akademitë ushtarake jashtë vendit, ashtu edhe për ata që do të ndjekin Akademinë e FA.
Akademia e Forcave të Armatosura, e cila do të hapë dyert në Tetor të këtij viti, u zyrtarizua si institucion i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare me Vendim të Këshillit të Ministrave.

FOTO GALERI
3/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA