TIRANË- “Për herë të parë planifikohet të bëhet regjistrimi i pajisjeve mjekësore sipas klasave dhe kategorive që në momentin kur hyjnë në doganë”
Kështu është shprehur ministrja Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu teksa paraqiti në kuvend ndryshimet në ligjin “Për Pajisjet Mjekësore”.
Ministrja shtoi se këto ndryshime do të sjellin një përmirësim të procedurave rregullatore të sektorit, për më shumë siguri për pacientët.
“Është një ndryshim i rëndësishëm i cili do të ndodhë për sa i përket regjistrimit, licensimit të pajisjeve mjekësore, afateve të çertifikimit të tyre bazuar mbi eksperiencat më të mira ndërkombëtare”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se projektligji i ri garanton cilësinë dhe ruajtjen e standardeve më të mira mbi pajisjet mjekësore që prodhohen, importohen apo tregtohen në Republikën, Manastirliu tha se një ndër risitë është kontrolli mbi pajisjet estetike.
“Për herë të parë përfshijmë në kategoritë e pajisjeve mjekësore dhe elementë të rëndësishëm të atyre pajisjeve të cilat kanë të bëjnë me materialet apo pajisjet estetike, të cilat kanë qenë të parregulluara në treg më parë, për sa i përket të gjithë atyre klinikave estetike apo shërbimeve që ofrohen dhe që nuk kanë qenë të rregulluara, nëpërmjet dispozitave ligjore përkatëse”, tha Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend.
Projekligji i ri parashikon edhe rimbursimin e pajisjeve mjekësore nga skema e sigurimeve shëndetësore përmes një liste të përcaktuar.
“Kemi pasur praktikë shumë të mirë në rimbursimin e fishave të diabetit tek fëmijët. Por ne duam ta rrisim gamën e rimbursimit të pajisjeve mjekësore, materialeve mjekësore të cilët ndihmojnë grupet të ndryshme të shoqërisë të cilët kanë sëmundje kronike të mbështeten direkt nga shteti nëpërmjet vendosjes të pajisjeve mjekësore të rimbursueshme”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh gjatë fjalës së saj në Kuvend, se, ligji i ri rregullon edhe tregëtimin e pajisjeve mjekësore përmes internetit, dhe gjithashtu forcon masat e marra për çdo subjekt që shkel ligjin.
“Do të rishikohen të gjitha praktikat për sa i përket edhe shitjeve online dhe publicitetit në rastet e pajisjeve mjekësore. Kategoritë të cilat parashikohen të përfshihen në këtë projektligj dhe ndryshimet do të drejtojnë më shumë punën tonë drejt inspektimit më të rreptë dhe gjithashtu masave administrative të cilat ndryshohen nëpërmjet këtij projektligji dhe forcohen për të garantuar më shumë siguri për jetën e qytetarëve në kujdesin shëndetësor”, tha ministrja Manastirliu.
Top Channel