ITALI- 4 shqiptarë dhe 4 italianë janë vënë në prangat e policisë italiane për shkak se akuzohen për falsifikim dokumentesh.
Top Channel mëson se grupi kriminal kishte organizuar një “agjenci udhëtimesh” të aftë për t’i shndërruar shqiptarët në italianë. Të kompletuar me make-up dhe lente kontakti ata arrinin t’i bënin shqiptarët e ndryshëm të dukeshin si italianët për të cilët zotëronin kartat e identitetit, këto të fundit të “ricikluara”.
Shqiptarët e rënë pranga janë:
1) Eduart Theodhori
2) Azem Shehaj
3) Arjana Metaliaj
4) Can Lika
Ndërsa Orgen Hoxha thuhet se është i shpallur në kërkim.
Italianët e rënë në pranga:
1) Baetani Girgenti
2) Alessandro Girgenti
3) Giuseppina Lanzo
4) Pamela Perotto Ghia.
Sipas autoriteteve italiane hetimi për grupin italo-shqiptar filloi pas një grabitje më 30 korrik të vitit 2018 në Corso De Stefanis në Xhenova. Përveç të arrestuarve nën hetim janë vënë edhe 19 persona të tjerë të cilët dyshohet se janë të lidhur me bandën që kryente aktivitetin e paligjshëm.
I gjithë shërbimi për të shndërruar shqiptarët në italianë kushtonte 12 mijë euro për person. Kryesisht shqiptarët që aplikonin ndërhyrjet kishin si synim Zvicrën dhe Anglinë.
Sipas të dhënave të autoriteteve italiane vlerësohet se banda ka arritur të bëjë rreth 29 kalime të paligjshme duke përfituar një shumë rreth 350 mijë eurosh. Artistët e make up-it ishin dy parukierë, një italian dhe një shqiptarë i cili zotëronte një dyqan në Savona.
Ndërkohë sot në Tiranë në kuadër të operacioni “laboratori” është shkatërruar një tjetër grup i ngjashëm me atë në Itali. Në pranga ranë 12 persona ndërsa ende nuk dihet nëse ka lidhje me grupin në Itali.
Top Channel