Teksa ka nisur numërimi mbrapsht për miratimin e kodit te ri elektoral, përfaqësuesit e selive diplomatike më të rëndësishme në vend i kërkuan të mandatuarve politikë të reformës zgjedhore, kompromis për kapjen e afateve të dakordësuara, pasi për ta nuk mund të ketë fitove 100 përqind për asnjërën palë.

“Donim t’i nxitnim negociuesit që të bëjnë kompromise. Prekëm disa çështje, me detaje, që nga depolitizimi i administratës zgjedhore te ndryshimi i sistemit zgjedhor – i cili nuk është ndër rekomandimet tona – te roli i medias në fushatën zgjedhore”, u shpreh ambasadori Borchardt.

Shumë  problematika kërkojnë zgjidhje, mes tyre kërkesa e Partisë Demokratike për pezullimin e Vettingut për anëtarët e Kolegjit  Zgjedhor.

“Të frenohet procesi i Vettingut. Këto janë çështje që Kushtetuta nuk i parashikon, pra janë gjëra që ne duhet të jemi të arsyeshëm në atë çfarë kërkojmë. Unë besoj se nëse PD-ja siç thotë populli, “të vijë me këmbë në tokë” për disa gjëra, kompromisi është shumë i arritshëm”, deklaroi Damian Gjiknuri.

“Nuk pranojmë të kapen gjyqtarët përmes Vettingut nga Rama”, tha Oerd Bylykbashi nga ana tjetër.

Ndërkombëtarët si arbitër mes palëve dhanë qëndrimin e tyre për këtë përplasje.

“Kjo çështje është ende duke u diskutuar dhe ne dërguam një mesazh të qartë se ata duhet të respektojnë dispozitën e Kushtetutës”, tha Borchardt.

Opozita nuk është e gatshme  të lëshojë as për afatin e 15 marsit.

“Nëse është e nevojshme të shtyhet 2-3 ditë është krejt normale, e rëndësishme është produkti, se 15 Marsi nuk është një datë arbitrare që është e palëvizshme”, u shpreh Gjiknuri.

“S’ka kompromis për 15 marsin”, deklaroi Petrit Vasili.

Opozita shprehu para ndërkombëtarëve qëndrimin e saj për qeveri kujdestare, kërkesë e cila hasi sërish në veshin e shurdhë të socialistëve.

Top Channel