Yuri Kim: Fund pandëshkueshmërisë/ Thirrja prokurorëve: Çdo mënyrë e ligjshme për të sjellë drejtësi

03/03/2020 15:22

Teksa procesit te vettingut deri më tani i janë nënshtruar 187 prokurorë e gjyqtarë, prokurori i përgjithshëm Olsian Cela ekspozoi problemet kryesore qe po has prokuroria, mes të cilave fluksi i çështjeve që kryeprokurori i konsideroi një emergjencë.

“Edhe pse procesi i vettingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota”, shprehet Olsian Cela, Prokuror i Përgjithshëm.

Prokurori i përgjithshëm bëri grafinë e detajuar duke përmendur edhe decentralizimin e Prokurorisë, por ambasadorja amerikane dha një mesazh të qartë.

“Shqipëria duhet të mbrojë shtetin ligjor, kjo nuk është zgjedhje është kërkesë dhe ne jemi të kënaqur që qëndrojmë krah Shqipërisë ndërkohë që ju merrni përsipër këtë kërkesë. Kjo do tu japë fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit sepse janë dy pengesa që po e ndalojnë Shqipërinë që të bëhet e madhe sa ç’mund të jetë magnet i investimeve që duhet të jetë. Prokurori është shërbëtor i ligjit. Fajtori nuk duhet të shpëtoj dhe i pafajshmi nuk duhet të vuaj. Duhet të përdoret çdo mënyrë të ligjshme për të sjellë drejtësi. Duhet të përmbushen nevojat e popullit që ju u shërbeni. Përdorni fuqinë tuaj për të çuar përpara Reformën në Drejtësi”, u shpreh ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

“Ne do të propozojmë sot ndërmarrjen e disa hapave konkretë për përmirësimin e kapaciteteve tona në hetimet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin financiar, duke synuar krijimin e një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik”, tha Olsian Cela.

Për ndërkombëtarët reforma në drejtësi është karta drejt Bashkimit Europian.

“2020 është vit vendimtar dhe për vitet në të ardhmen e afërt, fokusi duhet të jetë tek sistemi të bëhet sa më efikas dhe më performues. Reforma në drejtësi është motori që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, ka thënë Luigi Soreça.

Top Channel