Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin do të zhvillojnë këtë javë bisedime në Moskë, në kohën e rritjes së tensioneve në Siri, ka njoftuar presidenca turke më 2 mars.
Turqia ka konfirmuar më 2 mars se ka nisur operacion të plotë ushtarak kundër forcave siriane, të përkrahura nga Rusia, pas rritjes së përplasjeve në Idlib, provincën e fundit siriane të kontrolluar nga rebelët.
Përshkallëzimi i fundit vjen si rezultat i vrasjes së 34 ushtarëve turq javën e kaluar në një sulm ajror, për të cilin është fajësuar Siria.
“Presidenti do të zhvillojë vizitë njëditore në Rusi më 5 mars”, ka thënë presidenca turke përmes një deklarate.
Turqia ka vrarë 19 ushtarë sirianë në sulmet me dronë më 1 mars, si dhe ka rrëzuar dy aeroplanë ushtarakë qeveritarë.
Turqia dhe Rusia, që përkrahin palë të ndryshime në konflikt kanë shmangur përballjen direkte deri në tani.
Kjo pasi të dyja shtetet kanë marrëdhënie të shumta tregtare dhe marrëveshje në fushën e mbrojtjes.
Putin ka thënë më 2 mars për agjencinë ruse të lajmeve, TASS se Rusia nuk planifikon të luftojë me asnjë vend, mirëpo dëshiron të shtyjë shtetet tjera larg përballjes me Moskën.
Erdogan dhe Putin ishin pajtuar në tetor të vitit të kaluar në Soçi të Rusisë për të zhvilluar patrullime të përbashkëta ushtarake në verilindje të Sirisë.
Mirëpo së fundmi Siria dhe Rusia duken të vendosura për të fituar kontrollin e plotë të Idlibit, pas një fushate ushtarake të nisur në dhjetor të vitit të kaluar, që ka rezultuar me zhvendosjen e miliona civilëve.
Top Channel