Në 2 mars Vatikani hap arkivat/ Del e vërteta, çfarë dinte Papa për arratisjen e kriminelëve nazistë

01/03/2020 05:27

Mijëra kriminelë nazistë u arratisën pas Luftës së II Botërore përmes të ashtuquajturit shtegu i minjve, kryesisht në Amerikën Latine – me ndihmën e Vatikanit. Në 2 mars hapen arkivat e Piut XII, dhe shumë shpresojnë që ato t`i japin një përgjigje pyetjes se çfarë dinte Papa për këtë?

Lufta e Dytë Botërore kishte vetëm tre vjet që kishte përfunduar e në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1948 hyri në fuqi plani Marshall, kur njëri nga kriminelët më të mëdhenj nazistë arrin të arratiset nga burgu në Linc të Austrisë: Franz Stangl, ish-drejtues i lartë i forcave SS dhe komandant i kampit të shfarosjes së hebrenjve në Sobibor dhe Treblinka, përgjegjës për vdekjen e afro një milion hebrenjve, kaloi në këmbë nga Graci e Merano në Firence.

Destinacioni i tij ishte selia e Vatikanit. “Ju duhet të jeni Franz Stangl, jam duke ju pritur”, e përshëndet atje peshkopi i Romës Alois Hudal dhe e pajis me dokumente false. Me to Franz Stangl ikën për në Siri, ku tërheq edhe familjen, dhe në vitin 1951 kalon nga Damasku në Brazil. Austriaku Franc Stangl është një prej mijëra kriminelëve dhe kolaboratorëve nazistë të luftës, që arritën të arratisen me ndihmën e kishës përmes së ashtuquajturit tuneli i minjve: Nga Innsbruku nëpër Alpe për në Merano apo Bolzano për në Tirolin e Jugut, pastaj në Romë dhe që andej në qytetin port italian Gjenova.

“Shtegu i minjve nuk ishte një sistem i mirëstrukturuar, Ai ishte më shumë një bashkëpunim spontan i institucioneve të ndryshme “, thotë historiani Daniel Stahl nga katedra e historisë së re dhe moderne të Universitetit Friedrich-Schiller në Jena për DW. Lista e vrasësve masivë, të cilët shkojnë sidomos në Argjentinë përfshin Adolf Eichmann, mjekun sadist Josef Mengele, “Kasapin e Lionit” Klaus Barbie, kapitenin SS Erich Priebke, shpikësin e vrasjeve me gaz, Walther Rauff. Po sa Papa Piu XII në dijeni të kësaj historie?

Vatikani hap në 2 mars të gjitha dosjet e periudhës së Piut dhe historianët e shohin këtë si një mundësi që kjo pyetje, pas dekadash të tëra, të marrë më në fund një përgjigje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA