Regjisori disident iranian, Mohammad Rasoulof, fitoi çmimin e madh të festivalit të filmit në Berlin, për “There Is No Evil”, një vepër kritike për dënimin me vdekje në vendin e tij.
48-vjeçari Rasoulof, e ka të ndaluar të dalë nga Irani dhe nuk mundi ta merrte personalisht cmimin. Në emër të tij, çmimin e mori producenti Farzad Pak, i cili falenderoi kastin e mrekullueshëm që kishte vënë në rrezik jetët për të qenë pjesë e filmit.
Filmi tregon katër histori të ndara për dënimin me vdekje në Iran, nga ajo e një ekzekutuesi e deri tek familjet e viktimave. Ekspertët e kanë quajtur filmin e Rasoulof, deklaratën më të hapur kritike të deritanishme.
Rasoulof ishte dënuar me një vit burg për sulm ndaj shtetit dhe i ishte ndaluar për jetë bërja e filmave. Duke folur në një konferencë përmes telefonit, regjisori tha se filmi i tij i fundit kishte të bënte me marrjen e përgjegjësive nën diktaturë.
“Ti mund të përpiqesh të lësh mënjanë përgjegjësinë personale dhe t’ia kalosh fajin qeverisë…por njerëzit mund të thonë jo”, tha ai.
Me çmime të tjera u vlerësuan drama e Abordtit të Eliza Hittman, “Never Rarely Sometimes Always”, ndërsa çmimet si aktorë më të mirë i morën gjermanja Paula Beer dhe italiani Elio Germano.
Top Channel