Votuesit në Karolinën e Jugut votojnë të shtunën në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate, një hap dramatik para zgjedhjeve paraprake të së martës së ardhshme në 14 shtete, që njihet si “Super e Marta”.
Gara në Karolinën e Jugut ofron një mundësi tjetër për kandidatët që duan të ndalin hovin e senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, në përpjekjen e tyre për ta mposhtur Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
Ish-nënpresidentit Joe Biden, dikur pretedenti kryesor i demokratëve, e që nuk ka dalë mirë në zgjedhjet paraprake në tre shtetet e para, i duhet fitorja në Karolinën e Jugut për të vazhduar fushatën. Zoti Biden ka bërë fushatë agresive për të mbledhur para dhe për të nxitur entuziazmin në mesin e demokratëve. Karolina e Jugut konsiderohet si një bastion i zotit Biden për shkak të përqindjes së madhe të votuesve afrikano-amerikanë që kanë qenë prej kohësh besnikë ndaj tij dhe ish-Presidentit Barack Obama. Një humbje ndaj senatorit Sanders mund ta detyrojë ish-Nënpresidentin amerikan të tërhiqet nga gara.
Zoti Biden ka një epërsi prej 10 pikësh ndaj senatorit Sanders në mesataret e sondazheve të organizatës “RealClearPolitics” për Karolinën e Jugut, por Tom Steyer, një miliarder dhe filantrop që ka investuar kohë dhe shuma parash të konsiderueshme për të bërë fushatë në Karolinën e Jugut, duket se po e redukton epërsinë e zotit Bidenit. Ish-Nënpresidenti Biden mori një shtytje shumë të nevojshme të mërkurën kur ligjvënësi i Karolinës së Jugut, James Clyburn njoftoi se e mbështet kandidaturën e tij për të marrë emërimin e Partisë Demokrate.
Zoti Sanders, një senator i pavarur dhe socialist i vetëdeklaruar demokrat, merr pjesë në zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut si udhëheqës i qartë pas fitoreve në Nju Hempshir dhe Nevada dhe sigurimit të vendit të dytë në Ajova. Zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut do të jenë treguesi i parë thelbësor i rezultateve që kandidatët do të shënojnë në mesin e votuesve afrikano-amerikanë, një bllok elektoral kritik i Partisë Demokrate që përbën rreth 60 për qind të elektoratit të demokratëve në këtë shtet dhe 27 për qind të popullsisë së shtetit./VOA
Top Channel