Tatimet dhe doganat regjistruan vitin e kaluar rezultatin më të dobët në 5 vjet, duke paralajamëruar vështirësi në financimin e shërbimeve publike.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat nga tatimet dhe doganat zbritën në 18 për qind e prodhimit kombëtar duke u tkurrur me 0.7 pikë përqindje në vetëm një vit.
Ecuria e të ardhurave gjatë vitit të kaluar e rikthen buxhetin e shtetit në vitin 2014, ku të ardhurat tatimore ndaj prodhimit kombëtar qenë 18.2 për qind. Por më shumë se krahasim numrash, kjo rënie sinjalizon ecjen e Shqipërisë në krahun e kundërt me nevojat që ka.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar rritjen e të ardhurave buxhetore si një nga politikat më urgjente të Shqipërisë për të ndalur zbrasjen e vendit. Sipas FMN, një nga arsyet kryesore që po ushqen largimin e shqiptarëve nga vendi është cilësia e dobët e shërbimeve publike, veçanërisht arsimit dhe shëndetësisë.
Ndaj në dy raportet e fundit, Fondi I ka rekomanduar fort qeverisë që të mbledh më shumë para në buxhet dhe të rrisë shpenzimet për shkollat dhe spitalet, pasi kjo do të dekurajonte braktisjen e vendit. Por të dhënat faktike të buxhetit tregojnë të kundërtën.
Sipas FMN, rënia e të ardhurave në buxhet është simptomë edhe e politikave fiskale të ndjekura vitet e fundit. Sistemi tatimor I vendit është goditur nga përjashtimet tatimore për një sërë sektorësh, por edhe ndryshimet e shpeshta të taksave. Bashkë me informalitetin e lartë, kjo po rrudh të ardhurat në buxhet duke e lënë qeverinë të pafuqishme për të dhënë më shumë para për arsimin dhe shëndetësinë si dhe duke rritur presionin e borxhit publik.
Top Channel