Top Talk: Gazetarja bën pohimin bombastik. Komunistët u ndanë në dy pjesë për të kontrolluar politikën dhe biznesin në Shqipëri

27/02/2020 19:07

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga moderatori Denis Dyrnjaja ishte e ftuar pedagogia e gazetarisë Jonila Godole. Në studio u fol mbi vdekjen e gruas së Diktatorit Enver Hoxha, Nexhmies, e cila ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 99 vjeçare.

Jemi mësuar të shohim kur një person ndërron jetë, në drejtim të tij ose saj vërshojnë shumë komente pozitive. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi për të venë e diktatorit, pasi në media sociale vërshuan një valë e gjatë komentesh negative në drejtim të saj.

Komente të cilat e akuzonin Nexhmien si bashkëpunëtore e mijëra vrasjeve, internimeve dhe burgosjeve që ndodhën përgjatë periudhës 40 vjeçare të diktaturës. Sakaq në studio gazetarja Godole pohoi se diktatura nuk erdhi pas rrëzimit të bustit të Diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt të vitit 1991, siç pretendonin shqiptarët asokohe. Sipas saj rrëzimi i bustit shërbeu si kalimi i elitave të vjetra në një sistem të ri. Ndarja nga jeta e Nexhmie Hoxhës ka shërbyer si moment lehtësimi për shumë shqiptar por kjo nuk është zgjidhje e problemit tonë thotë gazetarja, pasi 99 vjeçarja nuk bëri kurrë një pendesë dhe falje publike.

“Mu kujtua rrëzimi i sistemit të Enver Hoxhës në 20 shkurt të vitit 1991 dhe atëherë menduam që kjo ishte diçka simbolike, por do të sillte rrëzimin e vërtetë të sistemit dhe më pas do të kishim një sistem të ri, sistem demokratik, por kjo nuk ndodhi. Në thelb nuk ndodhi sikurse ne e prisnim, ashtu sikurse duheshin. Elitat e vjetra sikurse ato ishin kaluan në sistemin e ri. Ishte një lloj ndërrimi i kostumit sesa një konvertim sepse konvertimi dëshiron kohë. Ju deshën 10 vitet e para që të fillonin konvertimin. U gëzuam atëherë si shqiptar për rrëzimin e statujës. Duke menduar se ra Enver Hoxha tani si statujë, ra regjimi, më në fund jemi të lirë. Në thelb ishte vetëm simbolike. Kështu që ndarja nga jeta e Nexhmije Hoxhës ka shërbyer si një moment lehtësimi për shumë shqiptar, por mendoj se kjo gjë nuk e zgjidh problemin tonë. Pasi kjo gruaja nuk bëri kurrë një pendesë, nuk bëri kurrë falje”, u shpreh gazetarja.

Top Channel