Koronavirusi po e shtrëngon gjithmonë e më shumë darën rreth Shqipërisë: pas Greqisë, ku u regjistrua rasti i parë i prekjes prej saj, një 38 vjeçare në Selanik e cila sapo ishte kthyer nga një zonë veriore e Italisë, edhe Maqedonia e Veriut njoftoi rastin e saj të parë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se bëhet fjalë për një shtetase, 50 vjeçe, e kthyer edhe ajo para disa ditëve nga një udhëtim në Itali. 50 vjeçarja së bashku me dy persona të tjerë, ishin paraqitur në Institutin e Sëmundjeve Infektive në Shkup, ku pas analizave të detajuara është konstatuar prania e virusit. Dy personat e tjerë rezultuan negativ.

Vendet ballkanike janë duke përforcuar masat mbrojtëse, ndërsa virusi tashmë është në rajon. Një i ri i kthyer nga Milano ishte rasti i parë i prekur nga Covid-19 në Kroaci, por 9 kroatë të tjerë po mbahen nën vëzhgim  pasi kanë punuar në një fabrikë në Itali ku 20 persona rezultojnë të infektuar. Dy qytetarë serbë që ndodheshin në anijen Diamond Princess, e cila është futur në karantinë në Yokohoma të Japonisë që prej 3 shkurtit, janë konfirmuar si të prekur nga koronavirusi.

Që të dy serbët e moshave 29 dhe 30 vjeç, janë anëtarë ekuipazhi të anijes ku ishin edhe 9 serbë të tjerë, tre nga të cilët kanë zbritur prej saj javën e kaluar. Ministri serb i shëndetësisë Zlatibor Loncar deklaroi se është realiste të pritet se koronavirusi do të shfaqet dhe brenda kufijve të Serbisë. Si Kroacia, ashtu edhe Serbia i kanë forcuar kontrollet në aeroporte dhe pika kufitare, duke u fokusuar sidomos tek pasagjerët që vijnë nga Italia e Kina. Ata i kanë këshilluar të gjithë qytetarët e tyre të mos udhëtojnë drejt veriut të Italisë. Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë lëshuar paralajmërime të ngjashme. Nëse njerëzve u duhet të lëvizin në këto zona, atëherë kur të kthehen, do të vendosen nën vëzhgim, deklaroi drejtori I institutit të shëndetit publik në Podgoricë, Boban Mugosa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA