PYETJE DHE PËRGJIGJE TË SHPESHTA
VIRUSI DHE SËMUNDJA NGA COVID-19

Çfarë është koronavirusi?
Koronaviruset (CoV) janё një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato janë të përhapur në shumë lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre.

Koronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin 1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm si: 229E (alpha coronavirus), NL63 (alpha coronavirus, OC43 (beta coronavirus) dhe HKU1 (beta coronavirus).

Në shekullin 21 dy koronavirus me patogenitet të lartë si SARS – CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme u transmetuan nga rezevuaret e kafshëve si: nje nga llojet maceve te egra dhe devete tek njerëzit, duke shkaktuar epidemi globale me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë.

Koronavirusi i ri COVID- 19

Në 31 dhjetor 2019, pati disa raste me pneumoni në Wuhan, provinca Hubei, Kinë ku shumica e tyre raportonin ekspozim në një treg të madh të produkteve të detit ku shiteshin shumë lloje të kafshëve të gjalla. Të dhënat paraprake tregojnë se 2019 – nCoV ka homologji për disa amino acide me SARS – CoV dhe mund të përdorë si receptor ACE2. Që prej 11 shkurt 2020 sëmundja e shkaktuar nga ky virus u quajt COVID-19 (CO- lidhet me Koronavirus; VI- lidhet me virusin; D-lidhet me sëmundjen (Disease) dhe ’19 lidhet me vitin) ndersa virusi u emertuar SARS-CoV-2.

Nga vjen Koronavirusi?
Koronavirusi qarkullon në kafshë, dhe disa prej koronaviruseve kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që koronavirusi transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu.

SIMPTOMAT

Cilat janë simptomat e një personi të infektuar me Koronavirus?
Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, marje fryme dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

Sa i rrezikshëm është virusi i ri?
Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19 mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale.

Njerëzit më të ndjeshëm ndaj formave të rënda janë të moshuarit dhe ata me sëmundje ekzistuese, të tilla si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Cili është ndryshimi midis simptomave të gripit, një ftohje të zakonshme dhe Koronavirus i ri?
Simptomat janë të ngjashme dhe përbëhen nga kollë, ethe, ftohje. Sidoqoftë, ato shkaktohen nga viruse të ndryshme, prandaj, në rast të dyshimit për Koronavirus, është e nevojshme të kryhen teste laboratorike për të konfirmuar diagnozën.

Sa zgjat periudha e inkubacionit?
Periudha e inkubacionit paraqet periudhën e kohës midis infeksionit dhe zhvillimit të simptomave klinike. Aktualisht vlerësohet se ndryshon midis 2 dhe 11 ditëve, deri në maksimumi 14 ditë.

MËNYRA E TRANSMETIMIT TË INFEKSIONIT NGA COVID-19

A mund të transmetohen Koronaviruset dhe Koronavirus i ri nga një person tek tjetri?
Po, disa koronaviruse mund të transmetohen nga një person tek tjetri, zakonisht pas kontaktit të ngushtë me një pacient të infektuar, për shembull midis anëtarëve të familjes ose në një mjedis të kujdesit shëndetësor.

Koronavirus i ri, përgjegjës për sëmundjen e COVID-19 gjithashtu mund të transmetohet nga një person tek tjetri përmes kontaktit të ngushtë me një rast të infektuar.

Si transmetohet Koronavirus i ri nga një person tek tjetri?
Koronavirus i ri është një virus i rrugëve të frymëmarrjes që përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të sëmurë. Mënyrat kryesore të përhapjes nga personi i infektuar janë nëpërmjet:

pështymës, kollitjes dhe teshtitjes
kontakteve personale të drejtpërdrejta
duarve, për shembull duke prekur me duart e ndotura (ende jo të lara) gojën, hundën apo sytë
në raste të rralla, infeksioni mund të ndodhë përmes kontaminimit fekal.
Zakonisht sëmundjet e frymëmarrjes nuk transmetohen me ushqim, i cili në çdo rast duhet të trajtohet duke respektuar praktikat e mira të higjienës dhe duke shmangur kontaktin midis ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar.

Gjithsesi, ende vazhdojnë studimet për të kuptuar më mirë se si transmetohet ky lloj virusi.

Cili është përkufizimi i “kontaktit të ngushtë”?
Sipas ECDC, “kontakt i ngushtë” do të konsiderohen:

Çdo person qe jeton në të njëjtën shtëpi.
Çdo person qe ka kontakt menjëherë me një rast ose me lëngjet trupore ose mostrat laboratorike.
Çdo punonjes shendetesor qe ka dhene direkt kujdes shendetesor per pacientet me 2019-nCoV, ka punuar me punonjes shendetesor te infektuar me 2019-nCoV.
Çdo person apo persona qe kane vizituar paciente, apo kane qendruar ne te njejtin mjedis te kujdesit shëndetësor me pacient me 2019-nCoV sidomos, kur rasti i është nënshtruar një procedure që gjeneron aerosol.
Çdo person qe punon ne afersi dhe ngushtesisht apo ka qene ne te njejtin mjedis te mbyllur si psh. klase ne shkolle me pacient me 2019-nCoV.
Çdo person qe ka qëndruar brenda 2 metrave në distancë nga rasti, në çdo mjedis që nuk është përmendur më lart për çfarëdolloj kohe.
Çdo person qe ka udhetuar sebashku me nje pacient ose me shume paciente me 2019-nCoV me cfaredo lloj mjeti.
Personat që udhëtojnë në avion në të njëjtin rresht ose në dy rreshtat para dhe pas një rasti të dyshuar ose të konfirmuar me COVID-19; shoqëruesit e udhëtimit ose kujdestarët; dhe anëtarët e ekuipazhit që kanë shërbyer në seksionin e avionit ku ishte ulur “rasti”. Nëse “rasti” ka një simptomatologji të rëndë ose ka lëvizur brenda avionit, çka tregon ekspozim më të madh të pasagjerëve, duhen konsideruar si kontakte të ngushta të gjithë pasagjerët të ulur në të njëjtin seksion të avionit ose në të gjithë avionin.

Si të trajtojmë “kontaktin e ngushtë” të një rasti të konfirmuar me COVID-19?
Çdo individ që raporton çfaredolloj kontakti me një rast të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me 2019 n-CoV duhet të raportohet pranë NJVKSH-së përkatëse menjëherë, dhe më pas, prej NJVKSH ose pranë ISHP-së me formularin e hetimit. Kjo procedurë duhet të kryhet menjëherë dhe brenda 24 orëve.

Sa më shpejt të jetë e mundur, NJVKSH në bashkëpunim me ISHP-në, fillon identifikimin e personave që kanë patur të njëjtin ekspozim si rasti i dyshuar apo i mundshëm (subjekte të ko- ekspozuara) dhe subjekteve që kishin kontakt të ngushtë me rastin gjatë periudhës së tij simptomatike ose dhe perpara shfaqjes se shenjave klinike .

Në pritje të konfirmimit të rastit, për shkak të paqartësive të rëndësishme të deritanishme në lidhje me këtë sëmundje cdo kontakt duhet te mbahet ne vetekarantine dhe pas konfirmimit te rastit, kontaktet qendrojne ne vetekarantine apo ne nje mjedis te pershtatur si karantine per te siguruar distancimin social te tyre duke zbatuar rregullat e karantines.

Kush mund të infektohet nga Koronavirus i ri?
Personat të cilët jetojnë ose kanë udhëtuar në zona të infektuara me Koronavirus-in e ri mund të rrezikojnë infeksionin. Aktualisht, Koronavirusi i ri po qarkullon në Kinë ku raportohet numri më i madh i rasteve. Në vendet e tjera, shumica e rasteve të raportuara kohët e fundit kanë udhëtuar në Kinë. Pak raste të tjera kanë ndodhur tek ata që kanë jetuar ose bashkëpunuar ngushtë me njerëz të infektuar në Kinë. Po ashtu ka vende ku ka qarkullim komunitar si psh ne Korene e Jugut, Hong Kong, Japoni, Tailande, si dhe kohet e fundit ne Itali.

A mund të përhapet infeksioni nga Koronavirus i ri nga një rast që nuk ka simptoma (rast asimptomatik)?
Sipas të dhënave të disponueshme aktualisht, njerëzit simptomatikë janë shkaku më i shpeshtë i përhapjes së virusit. OBSH e konsideron të rrallë infeksionin nga Koronavirusi përpara se të shfaqen simptomat megjithse eshe kjo mundesi ekziston.

A është e vërtetë që Koronavirusi i ri mund të transmetohet përmes kontaktit me shufrat apo dorezat mbajtëse të autobusëve duke qenë afër një personi që kollitet?
Bazuar në të dhënat e disponueshme, konsiderohet shumë e pamundur që një infeksion të mund të merret përmes shufrave apo dorezave mbajtëse të autobusit. Nga ana tjetër, aktualisht jemi në mes të sezonit të gripit. Prandaj, nëse shfaqen simptoma të tilla si ethe, kollë, dhimbje të fytit, dhimbje koke dhe, veçanërisht, vështirësi në frymëmarrje, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Sidoqoftë, për të parandaluar infeksionet, përfshirë infeksionet e frymëmarrjes, është praktikë e mirë të lani duart shpesh dhe me kujdes pasi të prekni objektet dhe sipërfaqet potencialisht të ndotura para se të prekni fytyrën, sytë dhe gojën.

A janë profesionistët e kujdesit shëndetësor në rrezik për t’u nfektuar nga Koronavirus i ri?
Po, ky grup profesionistësh është në rrezik, pasi ata bien në kontakt me pacientët më shpesh sesa popullata e përgjithshme. Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon që profesionistët e kujdesit shëndetësor të zbatojnë masat e duhura parandaluese dhe kontrolluese për infeksionet në përgjithësi dhe infeksionet e frymëmarrjes në veçanti.

SIPËRFAQET DHE HIGJIENA

Cilat janë rregullat për dezinfektimin / larjen e duarve?
Larja e duarve dhe dezinfektimi janë çelësi për parandalimin e infeksionit. Duhet të lani duart shpesh dhe tërësisht me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda. Nëse sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm, mund të përdoret gjithashtu një solucion për duart me bazë alkooli (përqendrimi i alkoolit të paktën 60%).

Sa kohë mbijeton Koronavirus i ri në sipërfaqe?
Informacionet paraprake tregojnë që virusi mund të mbijetojë disa orë, edhe pse është ende në studim. Përdorimi i dezinfektuesve të thjeshtë është në gjendje të vrasë virusin duke frenuar aftësinë e tij për të infektuar njerëzit, për shembull dezinfektuesit që përmbajnë 75% alkool (etanol) ose 1% me bazë klori (zbardhues).

A është e sigurt marrja e pakove nga Kina ose vendet e tjera ku është identifikuar virusi?
PO, është e sigurt. OBSH deklaron se njerëzit që marrin pako nuk rrezikojnë të bien në kontakt me Koronavirus-in e ri, sepse ai nuk është në gjendje të mbijetojë në sipërfaqe për një kohë të gjatë.

KAFSHËT

A mund të infektohen njerëzit me Koronavirusin e ri, nga kafshët?
Hetimet e hollësishme kanë zbuluar se, në Kinë në 2002, SARS-CoV u transmetua nga macet te njerëzit dhe, në vitin 2012 në Arabinë Saudite, MERS-CoV nga gamilet te njerëzit. Njihen shumë koronaviruse që qarkullojnë në kafshë, por që ende nuk kanë infektuar njerëzit. Ndërsa sistemi i survejancës përmirësohet në të gjithë botën, ka të ngjarë të identifikohen më shumë koronaviruse. Burimi i kafshëve të Koronavirusit të ri nuk është identifikuar ende. Supozohet se rastet e para njerëzore në Kinë rrjedhin nga një burim shtazor.

A mund të infektohem nga kafshët që unë kam?
JO, për momentin nuk ka asnjë provë shkencore që kafshët shtëpiake, si qen dhe mace, bartin virusin ose mund ta përhapin atë. Por, rekomandohet të lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose duke përdorur solucion me bazë alkooli pas kontaktit me kafshët.

A është e mundur importi i kafshëve ose produkteve shtazore nga Kina?
Për shkak të pranisë së disa sëmundjeve ngjitëse të kafshëve në Kinë, vetëm disa kafshë të gjalla dhe produkte të kafshëve të papërpunuara janë të autorizuar për tu importuar në Bashkimin Evropian nga Kina.

Nuk ka asnjë provë që ndonjë prej kafshëve, ose produktet me origjinë shtazore, të autorizuar për të hyrë në Bashkimin Evropian paraqesin një rrezik shëndetësor për qytetarët e BE-së për shkak të pranisë së SARS-CoV-2 në Kinë.

A është e mundur të importojmë produkte ushqimore nga Kina?
Ashtu si me importet e kafshëve dhe produkteve shtazore, për shkak të situatës së shëndetit të kafshëve në Kinë, vetëm disa produkte ushqimore me origjinë shtazore janë të autorizuara për import në BE nga Kina, me kusht që ato të plotësojnë kërkesat e rrepta shëndetësore dhe të jenë të kontrolluar.

Për të njëjtat arsye, udhëtarët që hyjnë në territorin doganor të BE-së nuk u lejohet të mbajnë në bagazhin e tyre mish, produkte mishi, qumësht ose produkte të qumështit.

PARANDALIMI, DIAGNOSTIKIMI DHE TRAJTIMI

Si mund ta mbroj veten nga Koronavirusi i ri?
Koronavirusi shkakton simptoma tipike respiratore. Më poshtë paraqiten rekomandimet kryesore:

Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli;
Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart;
Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë;
Mbani një distancë të caktuar – të paktën një metër – nga njerëzit e tjerë, veçanërisht kur kolliten ose teshtijnë ose nëse kanë ethe, sepse virusi gjendet në spërklat e pështymës dhe mund të transmetohet nëpërmjet frymëmarrjes në distancë të afërt.
Paraqituni tek mjeku nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni udhëtuar kohët e fundit;
Mënjanoni kontaktet me tregjet e kafshëve të gjalla në zonat që kanë Koronavirus dhe parandaloni kontaktet e pambrojtura me kafshë të gjalla apo sipërfaqe që kanë qenë në kontakt me kafshët;
Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara apo gatuara jo shumë. Mishi, qumështi i papërpunuar apo organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, duke përdorur mjete mbrojtëse në mënyrë që të mënjanohet kontaminimi;
Udhëtarët që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara apo ekspozim direkt ndaj një burimi të mundshëm të infeksionit duhet të vendosen në observim mjekësor. Kontaktet me rrezik të lartë duhet të mënjanojnë udhëtimet për periudhën e inkubacionit deri në 14 ditë;
Mos harroni se ka disa shkaktarë të sëmundjeve respiratore dhe Koronavirusi i ri mund të jetë njëri prej tyre. Nëse keni simptoma të lehta dhe nuk keni qenë kohët e fundit në Kinë, qëndroni në shtëpi derisa simptomat të lehtësohen duke zbatuar masa higjenike, të cilat përfshijnë higjienën e duarve dhe atë respiratore.

A transmetohet virusi përmes rrugës ushqimore?
Zakonisht sëmundjet respiratore nuk transmetohen me ushqim, i cili megjithatë duhet të trajtohet duke respektuar praktikat e mira të higjienës dhe duke shmangur kontaktin midis ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar.

A duhet të mbaj maskë për tu mbrojtur?
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon të mbani një maskë vetëm nëse dyshoni se mund të jeni infektuar me Koronavirusin e ri dhe keni simptomave të tilla si kollë, teshtitje ose nëse jeni duke u kujdesur për një person të dyshuar për infeksion me Koronavirusin e ri (udhëtimi i fundit në Kinë dhe simptomat e frymëmarrjes). Përdorimi i maskës ndihmon për të kufizuar përhapjen e sperklave dhe nepermjet tyre te virusit, por duhet të ndiqet edhe me masat e tjera të higjienës respiratore dhe të duarve. Nuk është e nevojshme të mbani disa maska njëra mbi tjetrën (të mbivendosura).

Si duhet ta vesh dhe heq maskën?
Ja se si duhet të veproni:

përpara se të vendosni maskën, lani duart tuaja me sapun dhe ujë ose me një solucion me bazë alkooli.
mbuloni gojën dhe hundën me maskë, duke u siguruar që të përshtatet mirë me fytyrën tuaj.
mos e prekni maskën gjatë vendosjes- nëse e prekni, lani duart.
kur maska laget apo zbutet nga lagështira, zëvendësojeni atë me një të re dhe mos e përdorni përsëri; në fakt ato janë maska me një përdorim.
hiqeni maskën duke e kapur atë nga llastiku dhe mos prekni pjesën e përparme të maskës;
hidheni menjëherë në një çantë të mbyllur dhe lani duart.

Kur një rast quhet i konfimuar me Koronavirus të ri?
Kur ai rezulton pozitiv gjatë testimit me metoda molekulare për 2019-nCoV

Çfarë duhet bërë kur dyshohet për një rast me Koronavirusin e ri?
Në kontekstin e shfaqjes së një agjenti infektiv, për të cilin nuk njihet mire menyra e transmetimit të drejtpërdrejtë nga njeriu te njeriu dhe rreziku epidemik dhe biologjik, çdo rast i dyshuar duhet të trajtohet sipas procedurës së përgjithshme bazuar ne ligjin 15/2016 per semundjet infektive.

Të gjithë mjekët e qendrave shendetesore që trajtojnë një pacient që dyshohet se është i infektuar me Koronavirusin e ri, duhet të njoftojne sipas ligjit 15/2016 dhe te kontaktojnë mjekun infeksionist si dhe Qendrën Kombëtare të Urgjencës/ Tel 127, nëse rasti duhet te paaqitet apo shtrohet ne spital.

Nëse pacienti kontakton sistemin e kujdesit shëndetësore parësor (mjekun e tij të familjes, Qendrën Kombëtare të Urgjencës Shëndetësore 127), këshillohet që të mos e drejtoni menjëherë në urgjencë, por të organizoni kujdesin e tij me masat e para mbrojtëse, në mënyrë që të shmanget kontakti me pacientët e tjerë, dhe madje edhe në mungesën të shenjave në favor të transmetimit nga njeriu te njeriu.

A ka vaksinë për këtë lloj të ri të Koronavirusit?
Kur një sëmundje është e re, nuk ka vaksinë për të, dhe mund të duhen disa vite derisa të prodhohet një vaksinë e re.

A ka trajtim për COVID-19?
Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga koronavirusi. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit. Kujdesi mbështetës mund të jetë shumë efektiv. Vazhdon studimi për terapitë specifike.

A mund të jenë antibiotikët të dobishëm në parandalimin e infeksionit të ri të Koronavirusit?
JO, antibiotikët nuk janë efektivë kundër viruseve, por funksionojnë vetëm kundër infeksioneve bakteriale.

REKOMANDIME PER UDHËTARËT

Çfarë rekomandohet për udhëtarët?
Rekomandohet të shtyni udhëtimet e panevojshme në zonat me rrezik të Kinës. Zonat e rrezikut të Kinës mund ti gjeni në faqet e internetit të OBSH-së.

Nëse shkoni në Kinë, në zonat në rrezik, rekomandohet të vaksinoheni kundër gripit sezonal të paktën dy javë para udhëtimit.Vaksinimi ndaj gripit të paktën dy javë para nisjes është për të bërë më të lehtë diagnozën dhe menaxhimin e rasteve të dyshuara, duke pasur parasysh simptoma të ngjashme midis koronavirusit dhe gripit, për të shmangur bashkëjetesën e dy viruseve në të njëjtin organizëm dhe për të zvogëluar hyrjen në dhomën e urgjencës për komplikime nga gripi.

Rekomandohet gjithashtu të shmangni vizitat në tregjet e produkteve ushqimore të freskëta me origjinë shtazore dhe kafshëve të gjalla, të shmangni kontaktin me njerëzit që kanë simptoma të frymëmarrjes dhe të lani duart shpesh.

Nëse një person zhvillon simptoma të frymëmarrjes (kollë, dhimbje të fytit, vështirësi në frymëmarrje) ndërsa është në zonat e rrezikut, duhet të kërkojë kujdes të menjëhershëm mjekësor.

Për të gjithë personat që, në 14 ditët e fundit, kanë hyrë në Shqipëri pasi kanë qëndruar në zonat e Kinës të prekura nga epidemia, siç është identifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetit keta persona duhet te vetekontrollohen dhe vetekarantinohen

Nëse simptomat e frymëmarrjes (ethe, kollë, dhimbje fyti, vështirësi në frymëmarrje) ndodhin në dy javët pas kthimit nga zonat e rrezikut:

kontaktoni numrin e telefonit falas të Urgjencës Kombëtare 127
vishni një maskë kirurgjikale nëse jeni në kontakt me persona të tjerë
lani rregullisht duart.

Çfarë duhet bërë nëse kohët e fundit keni qëndruar në zonat e rrezikut?
Personat e rikthyer në Shqipëri, pasi kanë qëndruar në zonat e Kinës të prekura nga epidemia, në 14 ditët e fundit per informacione te metejshme kontaktojne prane Institutit te Shendetit Publik.

Sa do të zgjasë ky shpërthim epidemik?
Aktualisht nuk është e mundur të parashikohet se sa do të zgjasë shpërthimi epidemik nga Koronavirusi i ri dhe si do të zhvillohet. Kemi të bëjmë me një virus të ri dhe prandaj mbeten shumë paqartësi. Për shembull, nuk dihet nëse transmetimi do të ulet gjatë verës, siç vërehet për gripin sezonal.

SHTATZËNIA

A kanë gratë shtatzëna ndonjë rrezik më të lartë për të zhvilluar forma të rënda të COVID-19?
Nuk ka të dhëna shkencore mbi ndjeshmërinë e grave shtatzëna ndaj virusit. Shtatzënia përfshin ndryshime në sistemin imunitar që mund të rrisin rrezikun e marrjes së infeksioneve virale të frymëmarrjes, përfshirë edhe ato nga Koronaviruset. Përveç kësaj, gratë shtatzëna mund të tregojnë një rrezik të rritur të zhvillimit të një forme të rëndë të infeksioneve virale të frymëmarrjes.

Gjithsesi, lidhur me transmetimin e COVID-19 edhe për gratë shtatzëna, rekomandohet të ndërmarrin veprime normale parandaluese për të zvogëluar rrezikun e infeksionit, siç është larja e duarve shpesh dhe shmangia e kontaktit me njerëzit e sëmurë. Burimi. Instituti i Shendetit Publik

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA