Kompanitë e industrisë automotive duhet të kenë të paktën 250 punonjës për të përfituar uljen e tatim fitimit në masën 5 përqind.
Ministria e Financave ka vendosur kritere të rrepta për kompanitë që përfitojnë nga tatim fitimi i zbutur. Veç numrit të punonjësve, kompanitë përfituese duhet ta kenë aktivitetin e tyre në masën 100 përqind në prodhimin e mjeteve ose pjesëve përbërëse të tyre, ndërsa që kryejnë aktivitete për mirëmbajtjen e automjeteve apo serviset nuk përfitojnë.
Aktualisht shkalla zyrtare e tatim fitimit në Shqipëri është 15 përqind. Por për të nxitur investimet e huaja në industrinë automotive, qeveria vendosi që për kompanitë e këtij sektori tatim fitimi të jetë 5 përqind.
Investimet në industrinë e automobilave, krijojnë vlerë të lartë të shtuar për ekonominë, punësim masiv me rroga relativisht të larta si dhe nxisin direkt eksportet. Për këtë arsye mes vendeve të Ballkanit ka nisur një garë e ethshme për tërheqjen e kompanive të këtij sektori.
Gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri kanë investuar disa kompani, të cilat prodhojnë pjesë për mjetet motorike si fjermanja Foshner apo koreanja Yura Corporation, e cila prodhon pjesë këmbimi për gjigantin KIA.
Megjithatë Shqipëria mbetet vendi i fundit në rajon për investimet në këtë sektor. Në Serbi industria automotive punëson rreth 50 mijë njerëz dhe siguron gati 2 miliardë dollarë eksporte në vit dhe po kështu edhe në Maqedoni.
Top Channel