Prej kohësh fermerët shqiptarë kërkojnë ndryshimin e skemës së subvencioneve, pasi ajo që është aplikuar në 2019 dhe me ndryshimet që janë bërë në vitin 2020 po i çon ata drejt falimentimit.
“Fiks Fare” edhe mbrëmjen e së martës vazhdoi në ngritjen e problemeve që kanë fermerët në vend. Pas përgjysmimit të të ardhurave në 2020 nga subvencionet fermerët tashmë duhet të jenë edhe në garë. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural , fitues shpallet ata fermerë që kanë aplikuar të parët me hapjen e aplikimeve, edhe pse aplikimet kanë një afat një mujorë.
Pikërisht nga parimi ” kush vjen i pari , renditet i pari”, shkruar në udhëzimin 3/1 të datës 15/04/2019, ka humbur të drejtën e subvensioneve edhe fermeri nga fshati Xibrakë i Elbasanit. Gentian Qoshku është një fermerë i cili prej tri vitesh ka mësuar nga media për programin e subvencionimit ndaj blegtorisë, program ky i sjellë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR). Në këto kushte ai mori një kredi ku bleu 100 krerë dhi. Pas kësaj ai ka aplikuar për subvencion pranë AZHBR-së për dy vitë me radhë.
“I kam matrikulluar të gjitha një për një dhe kam plotësuar dokumentacionin e lotë dhe të saktë siç është kërkuar” shprehet Gentiani. Ai tregon se ka aplikuar në maj të 2019 pranë Agropikës në Elbasan, brenda afatit një mujor të përcaktuar për aplikime. Nga ky aplikim Gentiani kërkon të përfitojë një subvencion prej 100.000 lëkë në vit. Por sot e kësaj dite ai nuk ka marrë asnjë lekë. Ai i drejtohet pikërisht për këtë arsye Fiks Fare pasi edhe pak rihapet afati i aplikimit për vitin 2020 dhe nesë ende nuk i ka marrë lekët ato digjen për vitin 2019. ” Dua t’i marr se me to do bëj dokumentacionin për të aplikuar sërish, dhe nëse nuk i marr tani ato më digjen” thotë Gentiani.
Gazetarët iu drejtuan Agropikës në Elbasan ku kishte aplikuar fermeri dhe ku rezulton se ai ka aplikuar 7 ditë para mbylljes së afatit të përcaktuar nga AZHBR-ja . Pikërisht kjo vonesë e ka penalizuar atë pasi siç shpjegojnë inspektorët e Agropikës dhe për këtë vit nuk ka përfituar subvencion. Kjo si rrjedhojë se në udhëzues thuhet se me përfundimin e fazës së aplikimit sistemi gjeneron automatikisht listat e aplikuesve për çdo masë mbështetëse, sipas parimit ‘Kush vjen i pari, renditet i pari’. Pra pavarësisht gjithçkaje sistemi nxjerrë përfitues ata fermerë që kanë qenë më të shpejtët për të aplikuar. Të pyetur se pse afati i aplikimit është një muaj kur sistemi shpall fitues aplikantët e parë, inspektorët përgjigJen se kjo është në bazë të fondit të rakorduar. Inspektorët sigurojnë grupin e Fiks Fare se vitin tjetër do mundohen ta ndihmojnë Gentianin që të jetë nga aplikuesit e parë për të përfituar subvencion.
Top Channel