Bilanci i vdekjeve nga koronavirusi në Itali ka mbërritur në 7, rastet e konfirmuara 229 dhe një i shëruar, ky është bilanci i koronavirusit në Itali ku mbrojtja civile pohon se infektimet më të shumta janë në Lombardi, por vatrat e sëmundjes nuk janë zgjeruar më tej.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se bota duhet të përgatitet për pandemi, edhe pse sipas saj, ende nuk është mbërritur aty. Italia është bërë pika qendrore e sëmundjes në Evropë ndërsa është shtuar frika e përhapjes edhe përtej kufijve të vendit. Italianët që udhëtojnë jashtë i kanë ndjerë efektet e masave shtrënguese, pasi një autobus që udhëtonte nga Milanoja drejt Lionit është ndaluar nga policia franceze pasi shoferi paraqeste simptoma të koronavirusit.
Policia ka vendosur një kordon sigurie rreth autobusit ndërsa pasagjerët nuk janë lejuar të zbresin. Nuk dihet me siguri sesa persona ka në bord dhe përsa kohë është vendosur të bllokohen. Mediat franceze thonë se shenja kryesore që kishte shoferi I autobusit ishte kolla e fortë. Zyrtarët italianë ende nuk kanë identifikuar origjinën e virusit, i cili deri tani rezulton i përhapur në disa rajone duke detyruar Austrinë që të ndalë përkohësisht trafikun hekurudhor me Italinë.
Në Francë, qeveria u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë vizituar Lombardinë apo Veneton, dy rajonet më të prekura në Itali, që të mbajnë maska në fytyrë, të kufizojnë aktivitetet e panevojshme dhe të masin temperaturën dy herë në ditë. Vendet fqinje të Italisë, Sllovenia dhe Kroacia, që janë destinacione popullore për turistët italianë dhe që njihen për lëvizje të shpeshta të banorëve të tyre me vendet fqinje, kanë filluar të marrin masa. Kroacia njoftoi se do të monitoronte udhëtarët që hyjnë nga Italia, ndërsa kryeministri i Rumanisë Ludovic Orban tha se kushdo që futej në vendin e tij nga rajonet ku ka njoftime për virusin do të vihet në karantinë për 14 ditë.
Top Channel