“Ç’ne’ne single ti?” është shfaqja e radhës që ngjiti në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, për të tetin vit rresht, artisten durrsake Keti Bashhysa.
E tronditur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit që i ktheu në të pabanueshëm apartamentin e blerë vetëm 3 muaj para gjëmës, artistja u ngrit mbi traumën duke dhuruar humor e kënaqësi. Me regji të aktorit të mirënjohur dhe babait të saj Hysen Bashhysa, shfaqja e solli artisten sërish në disa zhanre të artit, duke nisur nga loja në violinçelë, aktrimi, kënga dhe kërcimi, po me më shumë pasion për jetën dhe trajtimin e problematikave të saj.
Përjetimet personale, po dhe të mijëra njerëzve që u përballën me tërmetin dhe pasojat e tij, u sollën në vëmendje nga aktorja që klith për gjendjen që po kalon një qytet i tërë, po pa u ndalur vetëm aty. Shqetësimi që çdo vajzë dhe djalë kalon teksa përballet me presionin e familjes dhe shoqërisë i ngërthyer në një shprehje të vetme “ç’ne single/beqar ti?”. Bashhysa e kishte planifikuar shfaqjen në dhjetor, po për shkak të situatës së rëndë që kalonte qyteti e anuloi. Po për të ardhur më e plotë në këtë shfaqje me skenar të Mariola Poro, koreografi të Aldo Aliaj dhe konsulent artistik Julian Shytaj.
Top Channel